Irani tha se sulmet e sotme izraelite ndaj objektivave ushtarake në Republikën Islamike lanë të vrarë dy ushtarë iranianë. Në mëngjes herët, Izraeli kreu tre orë operacion kundër Iranit me sulme ajrore “hakmarrëse” në objektiva ushtarake. Republika Islamike reagoi:
Fuqia jonë do të poshtërojë armiqtë e atdheut, gati të përgjigjemi në mënyrë të përshtatshme.
Iranianët folën për “dëm të kufizuar”.
Zv.presidenti i Parë iranian, Mohammad Reza Aref tha se “fuqia e Iranit do të poshtërojë armiqtë e atdheut”, në një mesazh në llogarinë e tij X, në përgjigje të sulmeve izraelite ndaj bazave ushtarake në disa qytete të Republikës Islamike. Ndërkohë, Tasnim, agjenci lajmesh e afërt me Gardën Revolucionare, citoi një burim të informuar të shprehej se “Irani është i gatshëm t’i përgjigjet në mënyrë të përshtatshme sulmeve të reja izraelite”. Po ashtu, ky burim pohoi se njoftimi i Izraelit se në tre orë ka goditur 20 vende në Iran është “i rremë” dhe se Tel Avivi po përpiqet të përforcojë sulmin e tij “të dobët”.
Tjetër paralajmërim nga Izraeli:
Irani do të paguajë çmim të lartë, nëse fillon cikël të ri përshkallëzimi.
Hapësira ajrore iraniane u rihap. Ndërkaq, edhe objekte ushtarake në Siri u goditën nga forcat izraelite. Amerika nuk mori pjesë në operacione, reagimin e Izraelit e quajti: “vetëmbrojtje”. Britania e Madhe u shpreh kundër përshkallëzimit të sulmeve në Lindjen e Mesme.
Në një bisedë telefonike, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin siguroi homologun izraelit për mbështetjen e SHBA-ve mbi të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur.
Sekretari Austin ripohoi angazhimin e hekurt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sigurinë dhe të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, thuhet në një deklaratë të Pentagonit.
Austin foli me ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant për të marrë informacione të reja rreth sulmeve të Izraelit në Iran. Austin vuri në dukje se “Amerika mbetet e përkushtuar për të mbrojtur personelin amerikan, Izraelin dhe partnerët në të gjithë rajonin kundër Iranit e grupeve terroriste të mbështetura nga Irani”.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes shtoi edhe se Amerika mbetet e vendosur të parandalojë çdo aktor që mund të shfrytëzojë tensionet ose zgjerojë konfliktin në rajon.