Bota

Izraeli merr nën kontroll një zonë kyçe të kufirit të Gazës me Egjiptin!

Ushtria izraelite njoftoi se mori nën kontroll një korridor strategjik përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin, për të ndërprerë përdorimin e tuneleve të kontrabandës, teksa po tenton të shkatërrojë Hamasin, në luftën që tani është në muajin e 8-të.

Marrja e kontrollit e Korridorit Filadelfi mund të ndërlikojë raportet e Izraelit me Egjiptin, pasi ky i fundit është ankuar për avancimet e Izraelit drejt kufirit të tij. Izraeli tha se në këtë korridor ka tunele përmes së cilave janë transportuar armë dhe mallra të tjera për Hamasin pavarësisht një bllokade shumëvjeçare të vendosur nga Izraeli dhe Egjipti.

Izraeli po ashtu ka thelluar inkursionin e tij në qytetin Rafah, në jug të Gazës, qytet ku qindra mijëra persona janë strehuar për shkak të luftimeve në pjesë të tjera të enklavës. Në këtë qytet, ditët e fundit është intensifikuar dhuna, teksa janë vrarë dhjetëra palestinezë. Ushtria tha se brigada e pestë që ka disa mijëra ushtarë, iu bashkua trupave që operojnë në qytet.

Egjipti deklaroi se çdo rritje e numrit të trupave në zonën strategjike kufitare do të përbënte shkelje të Marrëveshjes së Paqes që Egjipti dhe Izraeli kanë arritur në vitin 1979. Egjipti është ankuar se Izraeli ka marrë pikëkalimin kufitar në Rafah, pikëkalimi i vetëm mes Gazës dhe Egjiptit.

Korridori Filadelfi ka shërbyer si linjë oksigjeni për Hamasin. Përmes tij Hamasi ka kontrabanduar armë në Gazë në baza të rregullta, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.

Një zyrtar i ushtrisë izraelite u shpreh se Izraeli e ka njoftuar Egjiptin për marrjen e kontrollit të kësaj zone. U gjetën rreth 200 tunele, si dhe 82 pika hyrëse për në to. Por, nuk është e qartë nëse po përdoreshin së fundi.

Korridori është pjesë e një zone më të madhe çmilitarizimi përgjatë të gjithë kufirit mes Izraelit dhe Egjiptit. Sipas Marrëveshjes së Paqes, secilës palë i lejohet të dislokojë vetëm një numër të vogël trupash apo rojesh kufitare në zonë, edhe pse numri i ushtarëve mund të modifikohet në bazë të një marrëveshjeje dypalëshe. Në kohën kur u arrit akordi, trupat izraelite kontrollonin Gazën, deri në kohën kur Izraeli tërhoqi trupat e tij dhe kolonët më 2005-ën.

Televizioni shtetëror në Egjipt, Al-Qahera News TV raportoi se “nuk ka pasur asnjë komunikim me palën izraelite” sa i përket pretendimeve për gjetjen e tuneleve në kufi. Egjipti vazhdimisht ka shprehur shqetësime se ofensiva izraelite mund të shtyjë palestinezët përtej kufirit, një skenar që Egjipti ka thënë se nuk është i pranueshëm.