Bota

Izraeli mbyll zyrat e Al Jazeera-s në Bregun Perëndimor!

Në mëngjes herët, trupat izraelite kontrolluan zyrat e kanalit Al Jazeera në Ramallah të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli duke urdhëruar mbylljen e tyre. Ky është veprimi i fundit në një fushatë të zgjeruar të shtetit hebraik kundër transmetuesit të financuar nga Katari dhe që raporton për luftën Izrael-Hamas në Rripin e Gazës.

Në kanalin në gjuhën arabe, Al Jazeera transmetoi pamje të drejtpërdrejta të trupave izraelite që urdhëronin mbylljen e zyrave për 45 ditë. Kontrolli erdhi pas një urdhri të lëshuar më herët kur policia izraelite bastisi vendin e transmetimit të Al Jazeera-s në Jeruzalemin Lindor, duke konfiskuar pajisjet dhe ndaluar transmetimet në Izrael, si dhe i bllokoi faqet e internetit.

Hera e parë që Izraeli mbyllte një media të huaj që operonte në vend. Por, Al Jazeera nuk e ndali punën në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, si dhe në Rripin e Gazës, territore që palestinezët shpresojnë t’i kenë në shtetin e tyre të ardhshëm.

Ushtria izraelite nuk iu përgjigj kërkesës për koment nga Associated Press. Al Jazeera e dënoi këtë veprim ndërsa vazhdoi transmetimet e drejtpërdrejta nga Jordania fqinje.

Forca izraelite të armatosura hynë në zyrë dhe live në transmetim i thanë një gazetari se “zyra do të mbyllej”.

Stafi duhet të largohet menjëherë.

Më vonë, rrjeti transmetoi pamje të trupave izraelite që shkatërronin një pankartë në ballkonin nga zyra e Al Jazeera-s. Sipas Al Jazeera-s, pankarta përmbante një imazh të Shireen Abu Akleh, gazetare palestinezo-amerikane, e vrarë nga forcat izraelite në maj 2022.

Ka një vendim gjykate për mbylljen e Al Jazeera-s për 45 ditë. Ju kërkoj të merrni të gjitha kamerat dhe të largoheni nga zyra në këtë moment!

Më vonë, trupat izraelite filluan të konfiskonin dokumente dhe pajisje në zyrë, ndërsa gazi lotsjellës dhe të shtënat mund të shiheshin e të dëgjoheshin në atë zonë.

Palestinezët siguruan një autonomi të kufizuar në Gazë dhe pjesë të Bregut Perëndimor përmes marrëveshjeve të Oslos të vitit 1993. Ndërsa Izraeli mban të pushtuara e kontrollon zona të gjera të Bregut Perëndimor, Ramallahu është nën kontrollin e plotë politik dhe të sigurisë të palestinezëve, çka e bën të papritur bastisjen izraelite në zyrën e Al Jazeera-s.