I akuzuar për gjenocid kundër palestinezëve, Izraeli mbrojti luftën e tij në Gaza, sot në paraqitjen para gjykatës më të lartë të Kombeve të Bashkuara, një ditë pasi kryeministri Benjamin Netanyahu i hodhi poshtë akuzat.
Izraeli ka mohuar fuqimisht akuzat e Afrikës së Jugut, në një nga rastet më të mëdha të paraqitura ndonjëherë para një gjykate ndërkombëtare. Ky rast ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare duke shkaktuar protesta para gjykatës, nga të dyja palët.
Dje, avokatët e Afrikës së Jugut i kërkuan gjykatës të urdhërojë ndalimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake izraelite në territorin rrethuar, ku jetojnë 2.3 milion palestinezë. Një vendim ndoshta do të kërkojë javë, por procesi i plotë mund të zgjasë disa vjet.
Ne jetojmë në një kohë kur fjalët janë të lira, në një epokë të mediave sociale dhe politikave të identitetit. Përpjekja për të kërkuar termin më të egër e për të fyer, për shumë është bërë e papërmbajtshme, tha këshilltari ligjor izraelit, Tal Becker në sallën e mbushur të gjykatës botërore në Hagë. Afrika e Jugut ka paraqitur para gjykatës një pamje thellësisht të shtrembëruar. Tërësia e çështjes së saj varet nga një përshkrim i dekontekstualizuar dhe manipulues i realitetit të armiqësive aktuale.
Becker kërkoi pushimin e çështjes, duke e quajtur “shpifje”. Gjykatës i tha se Hamasi filloi dhunën me sulmin e befasishëm të 7 tetorit në Izrael, në të cilin u vranë më shumë se 1.200 njerëz, ndërsa në gjykatë shfaqi pamjet e njerëzve të vrarë. Gjykatës i tregoi edhe videon e zyrtarit të Hamasit, Ghazi Hamad, i cili zotohej të vazhdonte sulmet me qëllim asgjësimin e Izraelit.
Nëse ekziston një kërcënim për civilët palestinezë të Gazës, rrjedh kryesisht nga fakti se ata kanë jetuar nën kontrollin e një organizate terroriste që ka shpërfillje totale për jetën dhe mirëqenien e tyre.
Në ditën e dytë të seancës dëgjimore në Hagë, Izraeli argumentoi se ofensiva e tij në Gazë është vetëmbrojtje legjitime e jo gjenocid. Avokati Malcolm Shaw mbrojti Izraelin nga akuza për gjenocid duke thënë se ofensiva e ashpër e Izraelit në Gaza ishte një përdorim legjitim i forcës së armatosur për vetëmbrojtje.
Shaw, i dyti nga gjashtë anëtarët e ekipit ligjor izraelit që foli, tha se numri i lartë i vdekjeve nuk përbën gjenocid.
Gjenocidi i vërtetë ndodhi kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor, duke vrarë rreth 1.200 njerëz.
Izraeli shpesh bojkoton gjykatat ndërkombëtare dhe hetimet e OKB-së, duke thënë se ato janë të padrejta dhe të njëanshme. Por, për të treguar sa seriozisht e konsideron rastin, udhëheqësit izraelitë kanë ndërmarrë hapin e rrallë të dërgimit të një ekipi ligjor të nivelit të lartë.