Izraeli zgjeron bombardimet në vendet e Lindjes së Mesme. Raportohet se orët e fundit ka kryer sulme ajrore në kryeqytetin sirian, Damask dhe pranë një objekti të ushtrisë siriane në afërsi të Homsit, siç bëri të ditur Ministria siriane e Mbrojtjes. Kjo në kohën kur sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vizitoi rajonin e Lindjes së Mesme duke kërkuar që të ndalen luftimet.
Sulmet izraelite goditën lagjen Karf Sosa në qendër të Damaskut dhe një objekt të ushtrisë në Homs, duke vrarë një ushtar e plagosur shtatë të tjerë, referuar të njëjtit njoftim zyrtar nga dikasteri i Mbrojtjes në Siri.
Sulmet kanë shkaktuar “dëme materiale”, por nuk u dhanë më shumë detaje. Më herët gjatë ditës së sotme, media shtetërore siriane raportoi se u dëgjuan shpërthime në Damask, pasi Izraeli goditi një objekt banimi në Karf Sosa. Zakonisht, trupat izraelite nuk komentojnë në lidhje me raportime specifike të sulmeve në Siri.
Për vite të tëra, shteti hebre kryen sulme ndaj objektivave të lidhura me Iranin në Siri, por ka intensifikuar sulmet që kur nisi lufta në Gaza më 7 tetor të vitit të kaluar, pas sulmit të paprecedentë të Hamasit në jug të Izraelit. Grupi radikal palestinez është shpallur organizatë “terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e po ashtu nga Bashkimi Europian.
Një ditë më parë, Izraeli sulmoi periferitë e Bejrutit dhe Hezbollahu reagoi. Grupi militant që ka edhe një parti politike e që kontrollon shumicën e jugut të Libanit goditi objektivat izraelite, për herë të parë duke përdorur raketa preçize kundër Izraelit.
Lufta në Gaza nisi pasi Hamasi vrau rreth 1 mijë e 200 persona dhe rrëmbeu afro 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar. Që atëherë, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gaza janë vrarë më shumë se 42 mijë palestinezë. Që kur startoi lufta në Gaza, Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer zjarr në kufi. Por në fillim të tetorit, situata u përshkallëzua dhe Izraeli njoftoi për nisjen e një operacioni tokësor në jug të Libanit kundër Hezbollahut.