Bota

Izraeli: Kemi vrarë liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah!

Ushtria izraelite njoftoi sot se ka vrarë Hassan Nasrallahun, liderin e grupit militant Hezbollah, gjatë një sulmi në Bejrut një ditë më parë. Në njoftim thuhet se trupat kryen “një sulm ajror preçiz në selinë qendrore të Hezbollahut në Dahieh, ku ishin mbledhur liderët e Hezbollahut”.

Ali Karki, komandant i Frontit Jugor të Hezbollahut, si dhe komandatë të tjerë të Hezbollahut, gjithashtu mbetën të vrarë nga ky sulm.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë e Libanit informoi se 6 persona u vranë dhe 91 të tjerë u plagosën nga sulmet e të premtes, si pasojë e të cilave gjashtë ndërtesa banimi u bënë rrafsh me tokën. Nasrallahu ka drejtuar Hezbollahun për mbi tre dekada. Hezbollahu ende nuk e ka komentuar lajmin izraelit për vdekjen e tij.

Izraeli i vazhdoi sulmet ajrore kundër Hezbollahut edhe sot ndërsa grupi militant shkrepi dhjetëra raketa drejt shtetit hebraik. Hezbollahu është grup militant dhe parti politike njëkohësisht, që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor.

Ky grup është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Bashkimi Europian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo partinë politike që përfaqësohet me një deputet në parlamentin libanez.

Mediat izraelite raportuan sot në mëngjes se vajza e Nasrallahut, Zainab Nasrallah, mbeti e vrarë. Edhe ky lajm nuk konfirmohet nga Hezbollahu. Kujtojmë se djali i Nasrallahut, Hadi, u vra gjatë luftimeve kundër trupave izraelite, në vitin 1997.

Ushtria izraelite tha se sulmi i djeshëm u krye vetëm ndaj “selisë qendrore” të Hezbollahut, pa e përmendur emrin e Nasrallahut. Një zyrtar i lartë iu konfirmoi mediave se në shënjestër ishin komandantët e Hezbollahut.

Norman Roule, analist nga Instituti Kombëtar i Sigurisë me bazë në Uashington, u shpreh se Izraeli e ka dobësuar Hezbollahun aq shumë sa qeveria libaneze mund ta shuajë këtë grup. Dje, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi në Kombet e Bashkuara se sulmet kundër Hezbollahut nuk do të ndalen.

Gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Netanyahu i dha një paralajmërim të ashpër armikut të tij të vjetër, Iranit, duke thënë se “nuk ka vend në Iran ku Izraeli nuk mund të arrijë”, nëse Republika Islamike vazhdon të përpiqet ta sulmojë Izraelin.

Ne do të vazhdojmë të dobësojmë Hezbollahun deri sa t’i përmbushim të gjitha synimet tona.