Ushtria izraelite njoftoi se ka kryer një valë të gjerë sulmesh ajrore kundër Hezbollahut ditën e sotme, duke bombarduar objektivat e grupit militant në jug të Libanit, në lindje të luginës Beka, si dhe në rajonin verior në kufi me Sirinë.
I pyetur nga gazetarët për mundësinë e një inkursioni tokësor në Liban, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari u shpreh se:
Ne do të bëjmë çfarëdo që është e nevojshme për t’i kthyer në shtëpitë e veta banorët e shpërngulur nga veriu i Izraelit.
Po ashtu, Hagari iu bëri thirrje banorëve të jugut të Libanit që të largohen nga vendet ku është i vendosur Hezbollahu, grupit militant pro-iranian i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai tha se Hezbollahu, i cili mbështetet nga Republika Islamike, ndër vite ka fshehur armë, përfshirë raketa lundruese dhe se këtë e ka bërë nëpër shtëpi e objekte në jug të shtetit libanez, ndaj iu bëri thirrje banorëve të largohen nga ato pjesë.
Për mediat, Hagari publikoi një video për të cilën tha se shfaqte pjesëtarët e Hezbollahut duke tentuar të shkrepnin raketa lundruese nga një shtëpi e banuar në Liban dhe shtoi se kjo çoi në një sulm izraelit ndaj saj, para se raketa të hidhej.
Hezbollahu po ju rrezikon. Po ju rrezikon juve dhe familjet e juaja, tha Daniel Hagari.
Avionët luftarakë izraelitë bombarduan fuqishëm qyteza përgjatë kufirit jugor të Libanit e madje edhe më thellë në veri të vendit, siç po raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Hezbollahu dhe Izraeli këmbyer zjarr në mënyrë intensive një ditë parë, pasi grupi militant libanez hodhi qindra raketa thellë brenda territorit izraelit duke iu përgjigjur bombardimeve të shtetit hebraik.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha se bombardimet do të vazhdojnë derisa të garantohet siguria për kthimin e të shpërngulurve nga pjesa izraelite e kufirit. Hezbollahu po përballet me presion të madh në javët e fundit, pasi javën e kaluar shpërthyen mijëra pajisje komunikimi, mes tyre pejxhëra e radio, të përdorura nga pjesëtarët e grupit.
Në lidhje me shpërthimin e këtyre pajisjeve, Hezbollahu ka fajësuar Izraelin, por që as nuk e ka pranuar e as e ka mohuar përgjegjësinë.