Bota

Izraeli godet lagje të Bejrutit, pavarësisht paralajmërimit amerikan!

Në mëngjes, të paktën një raketë izraelite goditi lagjet në jug të kryeqytetit libanez Bejrut, disa orë pasi Shtetet e Bashkuara thanë se kundërshtojnë shkallën e sulmeve izraelite në këtë qytet. Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se u dëgjuan dy shpërthime dhe u pa tym që dilte nga dy lagje. Sulmet ndodhën pasi Izraeli lëshoi urdhra për evakuim. Ditët e fundit, ushtria izraelite ka kryer sulme në jug të Bejrutit, pa ndonjë paralajmërim. Ndërkaq, njoftoi se ka kryer sulm drejt një magazine të armëve të Hezbollahut në lagjen Daniheh.

Para sulmit janë marrë hapa për të ulur rrezikun e dëmtimit të civilëve.

Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit është shpallur “terrorist nga Shtetet e Bashkuara”. Ndërkaq, Bashkimi Europian ka në listën e zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka një vend në Parlamentin e Libanit.

Thirrjet për evakuim kanë prekur më shumë se çerekun e Libanit, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, dy javë pasi Izraeli ka nisur inkursion në jug të shtetit, me arsyetimin se po lufton infrastrukturën e Hezbollahut. Disa shtete perëndimore po kërkojnë armëpushim mes fqinjëve, por edhe në Gaza, ndonëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përkrahin Izraelin e do të dërgojnë sisteme për mbrojtje raketore dhe trupa ushtarake.

Dje, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, u shpreh se për sulmet e fundit, Amerika ia ka shprehur shqetësimet e saj administratës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Kur flasim për shkallën dhe natyrën e bombardimeve që kemi parë në Bejrut javët e fundit, është diçka që e kemi bërë të qartë për qeverinë e Izraelit, se ne kemi shqetësime e jemi kundër.

Kryeministri në detyrë i Libanit, Najib Mikati, njoftoi se kontaktet e tij me zyrtarë amerikanë i kanë dhënë “një lloj garancie” që Izraeli do t’i zvogëlojë sulmet në Bejrut e në lagjet më në jug. Për herë të fundit, Bejruti u godit më 10 tetor kur dy sulme afër qendrës së qytetit vranë 22 persona dhe kanë shembur ndërtesa në zona të banueshme.

Burimet libaneze të sigurisë thanë se zyrtari i Hezbollahut, Wafiq Safa ka qenë në shënjesër, por mbijetoi. Izraeli nuk i ka komentuar këto deklarata.

Lindja e Mesme vazhdon të jetë e alarmuar nga përshkallëzimi i mundshëm i luftës ndërsa Izraeli lufton grupet e mbështetura nga Irani, Hezbollahun në Liban dhe në Gaza, Hamasin, grupin palestinez të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.