Media shtetërore libaneze raporton se sulmet ajrore goditën periferitë jugore të Bejrutit, dje në orët e vona të mbrëmjes pasi Izraeli lëshoi urdhra evakuimi. Sulmet rrëzuan ndërtesa të tëra në zonë, referuar agjencisë së lajmeve Reuters. Lagjet atje, kryesisht janë të zbrazura nga banorët, për shkak se shumica u largua në javët e fundit.
Të paktën tre persona u vranë dhe 30 u plagosën më herët gjatë ditës së djeshme në sulmin ajror izraelit në Tyre, një qytet-port në jug. Nuk kishte paralajmërim evakuimi të lëshuar nga ushtria izraelite, që tha se në shënjestër vuri “komplekset e zbulimit, komandës e kontrollit” të organizatës Hezbollah.
Më herët, Izraeli deklaroi se do të hapte një pikë të re të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, mes presionit në rritje të Shteteve të Bashkuara për të marrë më shumë ndihma për palestinezët që po përballen me mungesën e ushqimit e strehimit që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas. Izraeli nuk dha detaje se kur do të hapej vendkalimi i ri.
Në një deklaratë të përbashkët, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit dhe COGAT, agjencia që koordinon aktivitetet e qeverisë izraelite në territoret e pushtuara, thanë se po përgatiten të hapin vendkalimin Kissufim e që është një pikë e vogël kufitare në Gazën jugore pranë vendbanimit me po këtë emër, një nga vendet e sulmuara nga Hamasi në sulmin terrorist të 7 tetorit 2023.
Gjatë sulmit, militantët e Hamasit vranë 1200 persona dhe morën peng rreth 250 të tjerë, duke shkaktuar luftën në Gaza. Izraeli beson se Hamasi ende mban peng 101 vetë, 35 nga të cilët ushtria izraelite thotë se kanë vdekur. Kundërofensiva e Izraelit në Gaza ka vrarë mbi 43 mijë persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të këtij territori.
Hamasi në Gaza dhe Hezbollahu në Liban janë cilësuar “grupe terroriste” nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe të tjera vende perëndimore. Vendkalimi ka qenë kryesisht i papërdorur, me përjashtimin e ushtrisë, që kur Izraeli u tërhoq nga Gaza në vitin 2005.
Hapja vjen pasi po afron afati i caktuar nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin. Në një letër të dërguar më 13 tetor, i dhanë Izraelit 30 ditë afat për të rritur ndihmën humanitare për palestinezët në Gaza, në të kundërt do të përballej me mundësinë e shkurtimit të ndihmave ushtarake nga Shtetet e Bashkuara.
Letra kërkonte që Izraeli të mundësonte hyrjen e të paktën 350 kamionëve në ditë në Gaza nëpërmjet katër vendkalimeve, si dhe të hapte një pikë të pestë për hyrjen e ndihmave humanitare.