Ushtria izraelite tha sot se po vazhdon me sulmet ndaj objektivave të Hezbollahut në Liban duke goditur 140 lokacione në një valë sulmesh që nisi mbrëmjen e kaluar.
Forcat ajrore izraelite goditën më shumë se 140 pozicione të grupit militant libanez, duke përfshirë objektet ku ruheshin armët, thanë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF). Rreth 100 raketa u hodhën drejt Izraelit nga vendet fqinje që prej mëngjesit të sotëm.
Hezbollahu mori përgjegjësinë për disa sulme ndaj Izraelit. Ka pasur alarme të përsëritura për sulme me raketa, veçanërisht në veri, por sipas raportimeve, një raketë u kap gjithashtu mbi Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.
Një pjesë e një rakete të shpërthyer goditi një shtëpi në qytetin palestinez Huwara.
Sipas mediave izraelite, nuk ka raportime për të plagosur. Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei është zhvendosur në një vend të sigurt brenda Iranit, nën masa të larta sigurie, siç deklaruan sot dy zyrtarë për agjencinë e lajmeve Reuters. Burimet, të cilat u njoftuan nga Teherani, thanë se “Republika Islamike është në kontakt të vazhdueshëm me grupin militant të Libanit, Hezbollah, si dhe me grupet e tjera përfaqësuese në rajon, për të vendosur për hapat e radhës”.
Kjo pasi Izraeli njoftoi se e ka vrarë liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, në një sulm ajror në Bejrut një ditë më parë. Njoftimin e konfirmoi sot edhe vetë grupi. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite në gjuhën arabe, Avichay Adraee, tha në një komunikatë në X se “Nasrallahu, Ali Karki, komandant i Frontit Jugor të Hezbollahut, si dhe një numër komandantësh të tjerë janë vrarë”.
Shefi i OKB-së sërish bëri thirrje për një armëpushim urgjent në Lindjen e Mesme, pasi Izraeli nisi një seri sulmesh ajrore në Bejrut, kryeqytetin e Libanit. Guterres apeloi për armëpushim të përkohshëm edhe në Gaza, për të lejuar ofrimin e ndihmës humanitare dhe rifillimin e negociatave të paqes.
Gjatë fjalimit në Asamblenë e OKB-së, Netanyahu i dha një paralajmërim të ashpër armikut të vjetër, Iranit, duke thënë se “nuk ka vend në Iran ku Izraeli nuk mund të arrijë”, nëse Republika Islamike vazhdon të përpiqet ta sulmojë Izraelin. “Ne do të vazhdojmë të dobësojmë Hezbollahun deri sa t’i përmbushim të gjitha synimet tona”, u shpreh kryeministri izraelit.