Zv.presidenti i Parë iranian, Mohammad Reza Aref tha se “fuqia e Iranit do të poshtërojë armiqtë e atdheut”, në një mesazh në llogarinë e tij X, në përgjigje të sulmeve izraelite ndaj bazave ushtarake në disa qytete të Republikës Islamike. Ndërkohë, Tasnim, agjenci lajmesh e afërt me Gardën Revolucionare, citoi një burim të informuar të shprehej se “Irani është i gatshëm t’i përgjigjet në mënyrë të përshtatshme sulmeve të reja izraelite”. Po ashtu, ky burim pohoi se njoftimi i Izraelit se në tre orë ka goditur 20 vende në Iran është “i rremë” dhe se Tel Avivi po përpiqet të përforcojë sulmin e tij “të dobët”.
Izraeli e kreu sulmin e paralajmëruar kundër Iranit, që në fillim të muajit e sulmoi me raketa shtetin hebraik. Iranianët folën për “dëm të kufizuar” e thanë se janë “gati të reagojnë”. Ushtria izraelite raportoi se kreu “sulme të shënjestruara” tre orëshe në objektet e prodhimit të raketave të Republikës Islamike. Pastaj erdhi paralajmërimi:
Irani do të paguajë një çmim të lartë nëse fillon një cikël të ri përshkallëzimi.
Hapësira ajrore iraniane u rihap në përfundim të operacionit izraelit. Disa objekte ushtarake në Siri u goditën po ashtu. Për Shtëpinë e Bardhë, reagimi i Izraelit është vetëmbrojtje ndërsa një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Amerikane, saktësoi se “Shtetet e Bashkuara nuk morën pjesë në operacione”. Në një bisedë telefonike, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin siguroi homologun izraelit për mbështetjen e SHBA-ve mbi të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur.
Sekretari Austin ripohoi angazhimin e hekurt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sigurinë dhe të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, thuhet në një deklaratë të Pentagonit.
Austin foli me ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant për të marrë informacione të reja rreth sulmeve të Izraelit në Iran. Austin tha se “Amerika mbetet e përkushtuar për të mbrojtur personelin amerikan, Izraelin dhe partnerët në të gjithë rajonin kundër Iranit e grupeve terroriste të mbështetura nga Irani”.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes shtoi edhe se Amerika mbetet e vendosur të parandalojë çdo aktor që mund të shfrytëzojë tensionet ose zgjerojë konfliktin në rajon. Reagoi edhe Britania e Madhe. Një zëdhënës i qeverisë britanike tha se “përshkallëzimi i sulmeve izraelite në Lindjen e Mesme, nuk është në interesin e askujt”.