Bota

Izraeli bombardon Gazën e Libanin e jugut!

Të paktën 47 palestinezë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën sot pas sulmeve ajrore izraelite në zonat qendrore të Rripit të Gazës, Deir al-Balah, Nuseirat dhe Zawayda, sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve.

Sulmet kishin në shënjestër disa lagje gjatë natës dhe deri në orët e mëngjesit, duke goditur zona të banuara dhe shtëpi të shumta familjare, siç dhe raportoi agjencia WAFA. Mjekët në spitalin e Deir al-Balahut konfirmuan mbërritjen e 47 trupave dhe të plagosurve të shumtë, disa në gjendje kritike.

Dëshmitarët raportojnë se disa familje nga pjesë të tjera të Gazës ishin mbledhur me të afërmit në Nuseirat dhe se një bombardim fillestar u pasua nga një goditje e dytë, duke kapur banorët dhe kalimtarët që nxituan për të ndihmuar.

Kërkimet vazhdojnë për njerëzit që ende janë të zhdukur nën rrënoja.

Ushtria izraelite ka vazhduar ofensivën shkatërruese në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit të kaluar, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm.

Më shumë se 43 mijë e 160 vetë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra e fëmijë dhe mbi 101 mijë e 500 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore. Sulmet izraelite kanë zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e territorit, krahas një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër e ilaçeve.

Ushtria izraelite ka bombarduar periferitë jugore të Bejrutit me një sërë sulmesh ajrore mëngjesin e sotëm, pasi fillimisht i urdhëroi banorët të largoheshin, siç raporton agjencia e lajmeve Reuters. Disa ndërtesa u shkatërruan në disa lagje të Dayihehut në jug të Bejrutit, referuar agjencisë shtetërore të lajmeve në Liban.

Nuk dihet nëse ka viktima nga këto bombardime. Ushtria izraelite tha se në shënjestër të sulmeve ishin objektet dhe asetet e Hezbollahut. Vazhdimisht, Izraeli e ka përsëritur këtë qëndrim gjatë kryerjes së sulmeve në gati dy muajt e fundit në Liban.

Hezbollahu, i cili kontrollon Libanin jugor është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërsa Bashkimi Europian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur por jo edhe partinë e tij politike. Bombardimet vijnë pas përpjekjeve të reja por jo të frytshme të Shteteve të Bashkuara e vendeve të tjera për arritjen e një armëpushimi në Rripin e Gazës e në Liban.