Bota

Izrael, zyrtarët amerikanë diskutime mbi mbrojtjen e civilëve palestinezë

Ditën e sotme forcat izraelite kryen sulme ajrore në Rripin e Gazës, në prag të vizitës së zyrtarëve të lartë të Shtëpisë së Bardhë të cilët pritet të diskutojnë mbi fazën tjetër të luftës së Izraelit ndaj Hamasit si edhe përpjekjet për të mbrojtur civilët palestinezë.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, pritet të ketë të enjten dhe të premten takime me kryeministrin Benjamin Netanyahu, kabinetin e luftës dhe Presidentin Herzog.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Sullivan do të shfrytëzojë takimet për të biseduar “mbi masat që po merren që ndërhyrjet ushtarake të jenë më të sakta”.

Sullivan pritet të diskutojë edhe mbi thirrjet e Shteteve të Bashkuara ndaj Izraelit për të lejuar dërgimin e ndihmave humanitare në Gazë përmes pikës kufitare Kerem Shalom. Kjo do të bënte të mundur që ndihmat të mos hynin në zonë vetëm përmes vendkalimit të Rafahaut.

Këtë javë, Izraeli nisi kontrollet e kamionëve me ndihma në Kerem Shalom, por ato duhet të dërgohen në Rafah.

Sullivan fillimisht shkoi në Arabinë Saudite. Shtëpia e Bardhë tha se ai diskutoi me Princin Saudit të Kurorës Mohammed bin Salman mbi “përpjekjet për të krijuar kushtet për një paqe të qëndrueshme mes Izraelit dhe palestinezëve dhe për të shtuar ndihmat humanitare në Gazë”.

Ndërsa kanë siguruar mbështetjen ndaj Izraelit në luftën nga Hamasit pas sulmit të 7 tetorit, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe zyrtarë të tjerë kanë shprehur shqetësim mbi numrin e viktimave civile në Rripin e Gazës.–VOA–