Bota

Izrael, sulm me dron ndaj shtëpisë së kryeministrit Netanyahu!

Dron drejt shtëpisë së kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, në qytezën veriore Caesarea, nuk ka raportime për të lënduar. Lajmin e dha zëdhënësi i tij, i cili konfirmoi se Netanyahu nuk ishte në shtëpi në kohën e sulmit. Më herët, ushtria izraelite raportoi se një dron u hodh nga Libani dhe se goditi një objekt por nuk dha detaje.

Dy dronë të tjerë iu drejtuan territorit izraelit por u rrëzuan.  Nuk u raportuan viktima.

Policia bëri të ditur se u dëgjuan shpërthime në Caesarea, qytezën bregdetare ku Netanyahu ka një shtëpi pushimesh. Deri tani, askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, madje as Hezbollahu, grupi libanez i mbështetur nga Irani e që prej një viti shkëmben zjarr me Izraelin.

Hezbollahu që kontrollon Libanin jugor është shpallur “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e pjesërisht nga Bashkimi Europian që në listën e zezë ka vendosur vetëm krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë  politike që përfaqësohet me një deputet në Parlamentin e Libanit.

Një ditë më parë, grupi militant i mbështetur nga Irani paralajmëroi se do të “përshkallëzojë” luftën kundër Izraelit, pas vrasjes së Yahya Sinwar-it, liderit të Hamasit, grupit të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.

Ndërkohë, Irani tregoi se nuk ka ndër mend të ndryshojë mbështetjen për Hamasin pas vrasjes së Sinwar-it, duke deklaruar se “shpirti i rezistencës do të forcohet”. I cilësuar si “arkitekti i sulmit të 7 tetorit 2023” që nxiti luftën në Gaza mes Izraelit dhe Hamasit, Sinwar u vra në jug të Gazës nga një sulm izraelit.

Izraeli thotë se lufta e tij në Liban synon ta bëjë veriun e vendit të sigurt për qindra mijëra njerëz që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre gjatë vitit të fundit, si pasojë e sulmeve raketore nga Hezbollahu. Operacioni i zgjeruar izraelit ka zhvendosur më shumë se 1.2 milion persona sipas qeverisë libaneze, e cila thotë se më shumë se 2.100 vetë janë vrarë dhe mbi 10 mijë janë plagosur gjatë një viti luftimesh.

Raketat e Hezbollahut kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 54 personave në Izrael, më shumë se gjysma e tyre civilë, referuar autoriteteve izraelite.