Aktualitet Lajmet e fundit

Iu kapën armë e municione në banesë, 1 në pranga në Tiranë!

Iu gjetën armë e municione në banesë, një i arrestuar në flagrancë në Tiranë. Uniformat blu të Komisariatit nr.6 finalizuan operacionin e koduar “Kus”. Pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, në pranga ra shtetasi me iniciale B.M. Nga kontrollet në shtëpi në fshatin Kus, në cilësinë e provës materiale, policia gjeti e sekuestroi një armë zjarri pushkë, dy krehra e sasi municioni luftarak, një kallëp tritoli së bashku me fitilin përcjellës dhe kapsollën, dy granata sulmuese, dy ndezës unifikues granatash e një mjet prerës (thikë).

Njoftimi zyrtar i policisë: 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas posedonte armë dhe sende të tjera të jashtëligjshme në banesën e tij, në Kus, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kus”.

Gjatë operacionit është arrestuar në flagrancë shtetasi B.M.,banues në Kus, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga nenet 278/4 dhe 279 të Kodit Penal.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit B.M., në fshatin Kus, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pushkë, 2 krëhra dhe sasi municioni luftarak, 1 kallëp tritoli së bashku me fitilin përcjellës dhe kapsollën, 2 granata sulmuese, 2 ndezës unifikues granatash dhe 1 mjet prerës (thikë).

Materialet i kaluan Prokurorisë.