Aktualitet Travel

Italianët zgjedhin Shqipërinë në vend të “Bel Paese”-s!

“Në Itali, të dhënat e turizmit për gjysmën e parë të këtij viti në Taormina, e njohur ndryshe si “kryeqyteti i turizmit” siçilian tregojnë se ka regjistruar 3,3% më pak pushues italianë”. Kjo vihet në dukje në një artikull të publikuar në të përditshmen italiane “TaorminaNews24”. Aty shtrohet pyetja se ku po shkojnë tani italianët, të cilët më parë zgjidhnin t’i kalonin pushimet në destinacionet turistike të “Bel Paese”-s? Artikulli e ka një përgjigje:

Shumë vizitorë kanë zgjedhur kryesisht Shqipërinë, ku një rritje e madhe e turistëve italianë është shënuar edhe këtë verë. Jo vetëm turistët italianë, por edhe ata gjermanë, zviceranë e gjithashtu të Evropës Lindore kanë preferuar të pushojnë në Shqipëri.

Në 5 vitet e fundit, rezulton se mbi 2,5 milion turistë italianë kanë vizituar Shqipërinë, me një rritje të flukseve prej 72% duke filluar nga viti 2021. Ky është një bum i papritur, i paimagjinueshëm në turizmin shqiptar krahasuar me disa vite më parë, por ky është një realitet.

Sezonin e verës 2024, Shqipëria e mbylli me vizitorë të shumtë. Turistët zgjodhën plazhet e Durrësit e të Golemit, si dhe bregdetin e Vlorës duke pasur parasysh kostot më të përballueshme në krahasim me vendpushimet në Itali, veçanërisht në muajt qershor, korrik e shtator.

Mes muajve qershor e gusht, në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit, u regjistruan 3 milion e gjysmë pasagjerë, një rritje kjo prej 48% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga këta udhëtarë, 1,35 milion fluturuan mes Italisë dhe Shqipërisë, plus 47% krahasuar me një vit më parë.

Nga 1 janari e deri më 10 shtator, në Shqipëri ka pasur 7,6 milion pasagjerë, duke tejkaluar tashmë shifrat për të gjithë vitin e kaluar 2023 dhe në fund të vitit 2024 pritet që të mbyllet me 10,5 milion. Çmimet në Shqipëri mbeten konkurruese dhe është një konkurrencë e papritur, e cila kontribuon në uljen e numrit të turistëve në destinacionet italiane të pushimeve