Bota

Italia premton 35 milion euro ndihmë për palestinezët!

Italia do të rinisë financimin e organizatës për ndihmë të palestinezëve, UNRWA, duke ofruar një pako të ndihmës humanitare në vlerë 35 milion euro. Kjo u bë e ditur nga ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani. Këtë premtim e dha sot gjatë një takimi në Romë me kryeministrin palestinez, Mohammad Mustafa.

Kryediplomati italian u shpreh se 5 milion euro do të shkojnë për projekte të UNRWA-s, ndërsa pjesa tjetër e ndihmës është destinuar për nismën italiane “Ushqim për Gazën”. Italia është një prej shumë shteteve që bllokuan ndihmën për UNRWA-në, pas akuzave të bëra nga Izraeli se disa pjesëtarë të stafit të kësaj agjencie ishin përfshirë në sulmin e 7 tetorit 2023 e që kreu Hamasi, grupi palestinez i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Ishte ky sulm ndaj territorit izraelit që nxiti luftën në Gaza.

Tajani u shpreh:

Italia ka vendosur që të rinisë financimin e projekteve specifike e të destinuara për të ndihmuar refugjatët palestinezë, por vetëm pas kontrolleve të ashpra që garantojnë se asnjë cent nuk do të përdoret për të mbështetur terrorizmin.

UNRWA punëson 13 mijë persona në Gazë e po ashtu drejton shkollat e kësaj enklave, si edhe klinikat e kujdesit primar shëndetësor e shërbime të tjera. Ndër të tjera, kjo organizatë po shpërndan ndihmë humanitare.

Në javët e fundit, disa shtete kanë rinisur financimin e kësaj organizate. Muajin e kaluar, Gjermania tha se do të rinisë bashkëpunimin e UNRWA-në pas një raporti, nën drejtimin e ish-ministres së Punëve të Jashtme franceze, Catherine Colonna, lidhur me procedurat e UNRWA-s për të siguruar respektimin e parimeve të neutralitetit.

Në një tjetër zhvillim, Izraeli vijoi edhe sot që të bombardojë Rripin e Gazës, përfshirë qytetin Rafah edhe pse një ditë më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e urdhëroi që të ndalë operacionet ushtarake në qytetin më jugor të enklavës. Izraeli nuk po jep sinjale se vendimi i GJND-së ka ndikuar në planet e tij.

Izraeli nuk do të kryejë operacione ushtarake në zonën e Rafahut që do të krijonin kushte për shkatërrimin e popullatës civile, tërësisht apo pjesërisht, tha këshilltari për Sigurinë Kombëtare të vendit, Tzachi Hanegbi përmes një deklarate, duke përdorur fjalët që ishin pjesë e vendimit të GJND-së.