Sport

Italia, Bastoni: Fitorja me Francën na zgjoi

Alesandro Bastoni ka qenë një nga lojtarët më të mirë në dy ndeshjet që ka zhvilluar kombëtarja e Italisë në Ligën e Kombeve. Ai ka folur për mediat italiane pas triumfit me Izraelin. “Ishim të zotët që të gjenim motivimin e duhur.

Fitorja kundër Francës na dha vetëbesimin që na mungonte. Kemi bërë një hap të rëndësishëm në nivelin psikologjik. Duhet të vazhdojmë kështu”, tha fillimisht Bastoni. Mbrojtësi ka folur për trajnerin Spaleti:  “Sa më shumë kalon koha aq më shumë na njeh. Ndoshta kjo është ajo që na mungonte në muajt e mëparshëm. Nuk kemi pasur shumë kohë në dispozicion. Shpresoj që të vazhdojmë kështu edhe gjatë vitit dhe të bëjmë ndeshje pozitive”.

Për Ligën e Kombeve Bastoni deklaroi: “E dimë sa e rëndësishme është për shkak të renditjeve për shortet. Ne do të bëjmë gjithçka për të nderuar këtë kompeticion. Dy aventurat e fundit për Botërorin nuk kanë shkuar mirë dhe jemi të motivuar për të ndryshuar historinë”.

Sai takon rolit ne skuadër, Bastoni tha: “Unë kam qenë në kombëtare duke punuar me dy mbrojtës si Kielini dhe Bonuçi. Jam i lumtur që të marr vendin e atyre të dy dhe t’u transmetoj lojtarëve më të rinj atë që ata më kanë transmetuar mua. Ndihem i vlerësuar dhe do të bëj gjithçka në fushën e lojës”.

Bastoni ka folur për “Euro 2024”: “Ishte një dush i ftohtë për Italinë. Kemi gabuar qasjen dhe mënyrën e lojës gjatë ndeshjeve. Sigurisht që marrim përgjegjësitë për atë që ka ndodhur. Duam që ta lëmë pas krahëve këtë moment shumë negativ, të ndryshojmë faqe dhe të ringrihemi”.