Aktualitet

Itali, vritet në rrugë një shqiptare, nënë e dy fëmijëve!

Vritet një shqiptare në Itali, nënë e dy fëmijëve. Sipas mediave në vendin fqinj, viktimë mbeti shtetasja e identifikuar si Klodiana Vefa, e cila u qëllua për vdekje në mes të rrugës ndërsa po kthehej nga puna në shtëpi.

35-vjeçarja me leje të rregullt qëndrimi në Itali, u ekzekutua një natë më parë në një rrugë periferike të Kastelfiorentinos, pak pas orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme.

Disa banorë të zonës që dëgjuan shkrepjen e një arme zjarri njoftuan  policinë. Disa minuta më vonë, në vendngjarje shkoi edhe një autoambulancë, por për fat të keq rezultuan të pasuksesshme përpjekjet e bëra për ta risjellë në jetë. Mjekët nuk mundën të bënin gjë tjetër veçse të konfirmonin vdekjen e 35-vjeçares.

Nga hetimet paraprake, u mësua se një burrë po e priste në rrugë shqiptaren Klodiana Vefa. Nuk dihet nëse ka pasur një debat mes saj dhe vrasësit, që rezultoi të jetë ish-bashkëshorti dhe u shpall në kërkim. Personi në fjalë nxori një armë zjarri dhe e qëlloi me një plumb në kokë, çka ishte fatale pasi humbi jetën.

Karabinierët bënë kontrolle të shumta. Vefa punonte si kamariere në një piceri dhe ishte integruar në komunitetin e Kastelfiorentinos. Ajo u vra disa dhjetëra metra larg shtëpisë ku jetonte me dy fëmijët e saj.

Në Kastelfiorentino jetojnë shumë shqiptarë. “Ne duhet t’i qëndrojmë pranë një familjeje të prekur nga një ngjarje e tmerrshme”, tha kryetari i bashkisë së Kastelfiorentinos, Alessio Falorni, i cili ndër të parët që shkoi në vendngjarje.