Celebrities Showbiz

“Ismail Kadare na ka dhuruar vepra të mrekullueshme…”/ Dea Mishel Hoxha nderon shkrimtarin e madh!

Ismail Kadare, shkrimtari i njohur shqiptar, gjeni i letrave shqipe mbylli sytë sot në moshën 88-vjeçare. Lajmin e dhanë familja dhe bashkëpunëtorët e njeriut që gjerësisht njihet dhe si një personalitet qendror i kulturës shqiptare. Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 Gjirokastër, atje ku përfundoi edhe arsimin e mesëm; më 1958-ën përfundoi studimet në degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960).

Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Rrugën e krijimtarisë letrare, Ismail Kadare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit me “Frymëzimet djaloshare” (1954); “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.

Të shumta janë mesazhet e ngushëllimit pasi sot u mësua lajmi i ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh. Dea Mishel Hoxha ka ndarë në InstaStory disa nga poezitë e tij, teksa ka shkruar:

Këto ishin disa nga poezitë që mua më kanë pëlqyer më tepër. Mbase disa nga ju i rilexojnë, mbase disa i hasin këtu për herë të parë. Nëse është e dyta, uroj të ndaloni disa minuta e t’i shijoni. Poezia krijon hapësirë për ndjesinë, për të kuptuar e për të jetuar të vërtetën tënde. Ismail Kadare na ka dhuruar vepra të mrekullueshme. Do ishte mirë t’i ruanim si një pasuri, t’i trashëgonim ndër breza. Artistë të tillë meritojnë të jetojnë shumë gjatë përtes vetes.