Aktualitet

Ishte në kërkim, arrestohet Xhelal Rraja! Akuzohet për grup të struktuar kriminal!

Policia e Shtetit njofton se në kuadër të operacionit të koduar “Revanshi” ka vënë në pranga Xhelal Rrajën, i shpallur në kërkim pasi gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për grup të struktuar kriminal e lidhur me sigurimin e kushteve për vrasjen e Arben Ndokës.

Njoftimi policor: 

Pas një pune të mirëfilltë hetimore, është bërë e mundur kapja e shtetasit në kërkim Xh.Rr. Xh.Rr. ishte shpallur në kërkim, pasi gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në vijim të operacionit “Revanshi”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje.

Xhelal Rraja është vëllai i ish-deputetit socialist, Rrahman Rraja dhe akuzohet për sigurim të kushteve e mjeteve materiale për të kryer vrasje në dëm të Arben Ndokës, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për pjesëmarrje në grup kriminal. Plani ishte që Ndoka të vritej gjatë një vizite ngushëllimi për vdekjen e një gjyqtari.

Operacioni “Revanshi” u zhvillua në datat 17 e 18 maj dhe një pjesë e mirë e personave ndaj të cilëve u lëshuan urdhër-arrestet, nuk ndodhen në Shqipëri. Emrat dhe rolet e tyre dolën në skenë pas zbërthimit të aplikacioneve Sky ECC dhe Encro Chat.