Aktualitet Rajoni

Ishte në kërkim, Arkimed Lushaj (Stresi) vetëdorëzohet në policinë e Pejës!

Mediat kosovare raportojnë se Arkimed Lushaj i njohur si Stresi është dorëzuar në stacionin policor të Pejës në Kosovë. Ky dorëzim ndodhi rreth orës 09:00 të mëngjesit. Bëhet e ditur se në prani të avokatit të tij u bë dhe marrja në pyetje e reperi lidhur me dhunimin e personazhit të TikTok-ut, Medi Iseni.  Stresi ka bërë disa reagime nga arratia duke sfiduar forcat e rendit.

Më 7 gusht 2024 u njoftua arrestimi në Shëngjin i reperit Noizy, vetëm dy ditë pasi u shpall në kërkim nga Policia e Kosovës për plagosje të rëndë në një klub nate në Pejë. Noizy ishte në kërkim, se bashkë me disa persona të grupit “OTR” u akuzuan se dhunuan fizikisht shtetasin Muhamet Iseni, i njohur në “TikTok” si Medi, bashkë me mikun e tij Bekim Hadërgjonajn. Në pranga ra edhe DJ i reperit, Bahtjar Bajraktari i njohur si DJ Crax.

Rigels Rajku, u arrestua nga policia e Lezhës në zonën e Kunës në Shëngjin. Sipas burimeve, reperi u ndalua nga një postobllok policie, teksa po shkonte për të performuar në një klub nate.  Ja çfarë njoftonte policia, rreth tre muaj më parë:

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, nga Drejtoria e Forcës së Posaçame Operacionale, Sektori për Kërkimin, Njësia “FAST Albania” në Departamentin e Policisë Kriminale në PSH, është marrë informacion nga FAST Kosova, për dy shtetas të kërkuar për llogari të Kosovës, që mund të fshiheshin në Shqipëri.

Menjëherë, FAST Albania, bazuar në inteligjencën policore, bëri të mundur lokalizimin e 2 të kërkuarve, dhe në kuadër të operacionit policor “Fast”, kapi në Lezhë dhe arrestoi 2 shtetasit e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, konkretisht shtetasin R. R., nga Durrësi, dhe shtetasin B.B., nga Prishtina.  Kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë.

Noizy dhe DJ Crax, më pas u liruan.  Për të njëjtën ngjarje, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë pati shpallur në kërkim reperin Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi.

Përleshja që për përfundoi me dy të plagosur

Sherri mes pjesëtarëve të grupit “OTR” dhe personazhit të njohur të “TikTok”-ut, Muhamet Iseni, i njohur si Medi nisi në orët e para të mëngjesit të 2 gushtit (2024), në një klub nate në Pejë.

Shkak dyshohen videot në “TikTok” të Medit, i cili prej kohësh ofendonte reperat Noizy e Stresi, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë lidhje me sherrin dhe nuk kanë ndërhyrë për të rrahur Medin Isenin, me të cilin kishin zënka në rrjetet sociale.

Nga ana tjetër, Iseni pretendon se “u pre në besë” nga Stresi, i cili dyshohet se e kishte ftuar për ta takuar, por ndërkohë ishte një “kurth”, për ta vendosur në të njëjtin ambient me Noizy-n dhe grupin e tij.