Botë e Çuditshme

Ishte 18-vjeçe kur e vranë, rikrijohet imazhi i ‘vampires’!

Kufoma e një gruaje të re të gjetur në Poloninë veriore me një drapër në qafë dhe një dry në gishtin e madh të këmbës së majtë, shkaktoi mjaft kureshtje tek arkeologët. Ajo u gjet në vitin 2022 dhe prej atëherë kanë vijuar studimet për të kuptuar se kush ishte ajo grua dhe pse ishte varrosur rreth 400 vjet më parë në mënyrën në të cilën thuhet se groposeshin vampirët apo demonët. Duke përdorur konturet e kafkës së saj si dhe informacionin nga një mostër e ADN-së e nxjerrë nga skeleti i saj, studiuesit kanë rikrijuar atë që mund të dukej fytyra e saj.

Rindërtimi mbresëlënës 3D i Zosia-s hedh dritë mbi njeriun e gjetur në varrin e frikshëm. Arkeologu Dariusz Polinski, i cili udhëhoqi ekipin që zbuloi eshtrat e Zosia-s, tha se ishte një moment “marramendjeje” kur ai pa për herë të parë rindërtimin nga artisti suedez i mjekësisë ligjore Oscar Nilsson. “Ai i kishte shtuar aq shumë ndjenja, aq shumë emocione. Nuk ishte thjesht një maskë”-tha Polinski, një profesor i historisë mesjetare në Universitetin Nicolaus Copernicus në Torun të Polonisë.

Për Nilsson, i cili rindërtoi fytyrën e Zosia-s duke përdorur argjilë në një model të kafkës së saj të printuar në 3D, ishte emocionuese të shihte gruan e re ashtu siç mund të shfaqej në jetë. “Jam mësuar të rindërtoj fytyrat, por edhe në këtë rast po pres me padurim t’i kthej dinjitetin njerëzor. Ajo meritonte diçka më të mirë”-tha ai në dokumentar. E moshës 18-20 vjeçe kur vdiq, Zosia ka të ngjarë të kishte një gjendje shëndetësore të prirur për të përjetuar dhimbje koke të rënda kronike dhe periudha të fikëti, sipas një analize të bërë në shtyllën kurrizore.

Përveç kësaj, ekspertët dyshojnë se ajo kishte pasur një tumor të rritur në gjoks që mund t’i ketë shkaktuar dhimbje. Megjithatë, kjo nuk ishte shkaku i vdekjes së saj, i cili mbetet i panjohur edhe nga analizat e detajuara mjekësore. Ajo ka qenë e mbështjellë me një pëlhurë të brishtë mëndafshi me fije metalike prej argjendi dhe ari. Këto sugjerojnë se ajo vinte nga një prejardhje e pasur ose me status të lartë në shoqëri. Dryni dhe drapri ishin prej hekuri, një metal që mendohej se ofronte mbrojtje kundër të mbinatyrshmes, por ekspertët thanë se objektet nuk vendoseshin në trup në të njëjtën kohë.

“Fillimisht ajo u varros në një arkivol në një pozicion natyral, me kokën në drejtim të perëndimit dhe me një jastëk dhe drynin në gishtin e këmbës”-tha Polinski. Megjithatë, duket se fuqia mbrojtëse e drynit nuk ishte e mjaftueshme për ata që kishin frikë nga ringjallja e kufomës së Zosia-s. “Ndoshta për shkak të ndonjë fatkeqësie ose vdekjes së dikujt tjetër, ata vendosën të hapnin varrin”-sugjeroi Polinski.

Për t’u siguruar se ajo nuk do të ringjallej, ata i vendosën një drapër në fyt. Hapja e varreve ishte relativisht i zakonshëm gjatë shekullit të 17-të në këtë rajon, sepse njerëzit shpesh ua atribuonin fatkeqësitë veprimtarisë së mbinatyrshme të të vdekurve. “Të vdekurit fajësoheshin për fatkeqësi të ndryshme. Personi i ndjerë besohej se ishte një lloj shkaku për ndonjë sëmundje apo vdekje tjetër”-thotë Martyn Rady, Profesor Emeritus i Historisë së Evropës Qendrore në University College London. Rady thotë se Zosia nuk ishte një vampir.