Ish-zv.presidenti amerikan, Mike Pence tha se nuk do të dëshmojë para komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit, se sipas tij, “Kongresi nuk ka të drejtë t’i kërkojë dëshminë”. Në një intervistë me televizionin CBS, ish-numri dy i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se “do të ishte një precedent shumë i keq për Kongresin që të thërriste një nënpresident të Shteteve të Bashkuara për të dëshmuar rreth bisedimeve të zhvilluara në Shtëpinë e Bardhë”.
Në seancat e profilit të lartë, komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve e ka vënë theksin te refuzimi i Pence-it për të mbështetur përpjekjet e ish-presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve ku ai humbi ndaj demokratit Joe Biden, në presidencialet e nëntorit të vitit 2020.
Mike Pence-it iu desh të fshihej për orë të tëra kur mbështetësit e Trump-it sulmuan Kapitolin më 6 janar, në një përpjekje të pasuksesshme për të parandaluar Kongresin që të certifikonte fitoren e rivalit demokrat, Joe Biden.
Mbi një muaj më parë, komisioni i Kongresit që heton sulmin ndaj Kapitolit, unanimisht votoi për të thirrur Donald Trump-in, i cili zyrtarizoi kandidaturën për zgjedhjet e radhës. Ish-presidenti duhet të dëshmojë për rolin e tij në nxitjen e dhunës e përpjekjet disa javore për të përmbysur humbjen në presidencialet e nëntorit 2020. Kryetari i komisionit, ligjvënësi i Misisipit, Bennie Thompson:
Duhet të dëgjojmë nga Donald Trump. Ish-presidenti duhet të përgjigjet për veprimet, pjesë e skemës së tij për të qëndruar në pushtet. Kemi detyrimin që ta shohim dëshminë e Trump-it, përpara të gjithë publikut amerikan.
Ndërsa gjithçka transmetohej live në televizion, të nëntë anëtarët e komisionit votuan në favor të dërgimit të fletëthirrjes për Trumpin, duke i kërkuar dëshminë, si dhe dokumentat që mund të disponojë mbi përpjekjet për të qëndruar në pushtet, duke mos pranuar humbjen përballë demokratit Joe Biden.
Po ashtu, Donald Trump ka sfiduar edhe të tjera përpjekje për të vënë në pikëpyetje veprimet e tij gjatë kohës kur ishte president e në periudhën pasuese, duke paraqitur padi të përsëritura. Ndonjëherë i fitonte, ndonjëherë i ka humbur, gjithnjë duke shtyrë zgjidhjen përfundimtare.