Ish-trajneri i Shqipërisë, Kristian Panuçi ka dhënë një intervistë për median italiane “Tuttosport” ku është ndalur edhe te Ardian Ismajli. Ai ka zbuluar si e ka thirrur mbrojtësin në Kombëtare dhe që askush nga Federata nuk e njihte. “E njoh mirë Ismajlin prej shumë vitesh, ai është bërë një nga mbrojtësit më të mirë në Serie A dhe është një djalë i jashtëzakonshëm. Mendoj se ai është gati të bëjë hapin drejt një klubi të madh. Nuk më habit aspak që Juventusi po e ndjek. Do të ishte një shtesë shumë e dobishme për bardhezinjtë. Ardiani e meriton një shans të tillë ” .
Mund të na tregoni si e zbuluat Ismajlin?
“Po flas për herë të parë dhe jam shumë i lumtur që e bëj këtë. Në vitin 2018 isha trajner i kombëtares shqiptare dhe shkova nëpër Europë në kërkim të lojtarëve të rinj për të thirrur. Unë bëja skautizëm të dorës së parë dhe e pashë në Kroaci, ku Ardiani luante për Hajdukun e Splitit. Më goditi menjëherë. Kështu që unë mora hapa për të biseduar me të dhe për ta bindur që të zgjidhte Shqipërinë, duke qenë se Ismajli ishte tashmë në kombëtaren e Kosovës”.
Mund të thuash që shkoi mirë…
“Ai e pranoi kombëtaren shqiptare për mua dhe për atë që kisha bërë për ta bindur. Ishte njeri i fjalës! Kosova nuk donte ta humbiste, por Ardiani e mbajti premtimin që më dha. Askush nuk e njihte brenda federatës shqiptare, herën e parë që e thirra, as që e dinin se kush ishte. Po të mos kishte qenë Panuçi, Ismajli nuk do të vinte kurrë të luante për Shqipërinë…”, deklaroi ai.