Bota

Ish-shefi i KE-së, Juncker kundër vendimit gjerman për kontrollet kufitare!

Ish-presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker ka shprehur kundërshtimin ndaj vendimit në lidhje me shtimin nga ana e Gjermanisë të kontrolleve kufitare duke paralajmëruar për shqetësimin që u shkakton udhëtarëve dhe kërcënimin e mundshëm për integrimin europian.

Të hënën e kësaj jave, ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser urdhëroi vendosjen e kontrolleve të përkohshme në të gjithë kufijtë tokësorë gjermanë për të frenuar numrin e hyrjeve të paautorizuara, në një përpjekje për të shtypur emigracionin.

Kontrollet, të cilat zgjerojnë një skemë ekzistuese në të gjitha pikat hyrëse gjermane do të fillojnë të hënën (16 shtator) e fillimisht parashikohet që të zgjasin për gjashtë muaj.

Duke folur për DPA-në, në vendlindjen e tij në Luksemburg, Jean-Claude Juncker tha se ai nuk ishte një adhurues i kontrolleve kufitare sepse mendon se ato shqetësojnë udhëtarët. Gjermania është anëtare e zonës Schengen e lejon rreth 420 milion njerëz në 29 vende europiane që të udhëtojnë lirshëm, pa u përballur me kontrollet kufitare.

Por,  tashmë kontrollet janë vendosur në disa nga nëntë kufijtë e Gjermanisë duke përfshirë dhe Austrinë e Poloninë e duke nisur nga nesër, ato do të shtrihen në Luksemburg, Belgjikë, në Holandë e në Danimarkë po ashtu. Juncker vuri në dukje se “kontrollet e kryera larg kufijve do të ishin më pak të dëmshme, veçanërisht për më shumë se 50 mijë udhëtarë gjermanë që vlerësohet se kalojnë çdo ditë në Luksemburg”.

Ndërsa Juncker pranoi domosdoshmërinë e kontrolleve të përkohshme kufitare gjatë aktiviteteve të mëdha siç ishte Kampionati Europian i Futbollit “Euro 2024“, ish-zyrtari i lartë europian vendosi në pikëpyetje nevojën për kontrolle të zgjatura, në përgjigje të çështjeve të emigrimit, si dhe hyrjeve të paligjshme nga ana tjetër.

Ndër të tjera, ai nuk e fshehu aspak shqetësimin se “të tilla veprime do të mund që të minojnë parimin thelbësor të zonës Schengen përsa iu përket kufijve të hapur”. Kujtojmë se Juncker ka qenë president i Komisionit Europian përgjatë viteve 2014-19. Aktualisht, Komisionin Europian e drejton Ursula von der Leyen, e zgjedhur në korrik për të dytin mandat radhazi 5 vjeçar në krye të ekzekutivit europian.