Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i cili njihet për sulmet e vazhdueshme dhe ndonjëherë personale ndaj rivalëve kryesorë, si presidenti Joe Biden, tani i ka intensifikuar edhe kundrejt kandidatit të pavarur për president Robert F. Kennedy Jr.
Në një video rreth 4 minutëshe, e quan Kennedy-n “kandidat fals të demokratëve” dhe një “liberal radikal të majtë”, i nxjerrë si kandidat për të ndihmuar presidentin demokrat. Ish-presidenti sulmoi të gjithë anëtarët e familjes Kennedy, duke i quajtur “një tufë të çmendurish”.
Ai nuk është republikan, kështu që nuk mendoj se mund të votoni për të e të ndiheni mirë.
Të tilla sulme të ashpra mund të jenë sinjal për shqetësimin e Trump-it dhe ekipit të tij elektoral për kandidimin e pavarur të Kennedy-t në një garë elektorale që pritet të jetë e ngushtë e ku një emër i tretë mund të tërheqë mjaftueshëm vota për të dëmtuar njërin prej kandidatëve kryesorë.
Janë edhe 6 muaj nga dita e zgjedhjeve. Amerikanët kanë shprehur pakënaqësinë mbi një ripërballje Trump-Biden dhe Robert F. Kennedy Jr u vetëofrua si alternativë. Disa nga çështjet te të cilat është përqendruar, si mbështetja e vendosur për Izraelin e kritikat ndaj masave izoluese për pandeminë, mund të jenë më tërheqëse për votuesit konservatorë, se për ata demokratë.
Anketimet e deritanishme tregojnë se shumë më tepër republikanë se demokratë kanë një opinion të favorshëm për Kennedy-n edhe pse shumë amerikanë nuk kanë njohuri të mjaftueshme se çfarë përfaqëson ai.
Në një anketim në shkurt të Qendrës për Studime të Çështjeve Publike, të agjencisë së lajmeve Associated Press, mbi gjysma e republikanëve, 53% dhanë opinion më të favorshëm për Kennedy-n, krahasuar me 30% të demokratëve. Rreth një e katërta e votuesve nga të dyja partitë thanë se nuk dinin mjaftueshëm rreth tij.
Ekipi elektoral i Kennedy-t shprehet se ai rrezikon si Trump-in ashtu edhe Biden-in, i cili gëzon mbështetjen e disa anëtarëve të vetë familjes Kennedy dhe e quan “nder të jashtëzakonshëm” mbështetjen e tyre për kandidimin e tij.
Presidenti Biden përgjithësisht nuk e përmend Kennedy-n, i cili në të kaluarën e ka sfiduar si kandidat brenda Partisë Demokrate, përpara se të fillonte fushatën si i pavarur. Kennedy ka sfiduar edhe Trump-in, duke i kërkuar që të bëjnë një debat gjatë një aktiviteti ku do të marrin pjesë të dy, megjithëse në ditë të ndryshme.