Aktualitet

Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici kërkon lirimin nga burgu! Gjykata shtyn seancën

Safet Gjici i është drejtuar Gjykatës së Elbasanit me kërkesën për t’u liruar nga burgu për arsye shëndetësore, ndërsa Gjykata shtyu seancën ndaj tij në 11 nëntor ora 13:00, deri në marrjen dhe administrimin e provave shkencore.

Avokati Markeljan Jançe ka deklaruar se gjendja e ish-kryebashkiakut të Kukësit është në gjendje të rënduar.

“Gjici është në gjendje të rënduar shëndetësore nga një sëmundje që ka vuajtur prej vitesh, por rëndesa psikologjike e ka rënduar gjendjen e tij. Kërkojmë vlerësimin nga instituti i mjekësisë ligjore për vlerësimin e gjendjes”, ka thënë ai.

Gjici vazhdon qëndrimin në spital privat për shkak të gjendjes shëndetësore, me probleme të sistemit kardiovaskular, zmadhim te aortës dhe diabet të formës së rënduar.

Prokuroria kërkon informacion shtesë nga IEVP për të gjitha trajtimet mjekësore dhe vlerësimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Gjykata pranoi kërkesën e mbrojtjes për pranimin e kërkesës për ekspertim mjekoligjor dhe pranoi kërkesën e prokurorisë për informacion nga IEVP për të gjitha trajtimet mjekësore të Gjicit në kohën që ka qenë i dënuar.

Avokatët në kërkesën e tyre janë bazuar në nenin 59/a pika c e Kodit Penal sipas të cilit, për dënime të mbetura nën dy vite mund të lejohet qëndrimi në shtëpi për shkaqe shëndetësore.

Më herët sot, Jançe tha se: Gjici ka vuajtur 1 vit e 9 muaj. I kanë mbetur 1 vit e dy muaj. Për shkak të gjendjes shëndetësore kërkojmë qëndrim në shtëpi të Gjicit. Si provë është paraqitur kartela mjekësore dhe pranojmë thirrjen e specialistëve të tjerë për të verifikuar gjendjen mjekësore. Gjici vazhdon të jetë në spital për shkak të kushteve shëndetësore. 

Gjyqtarja Suela Lika ndërpreu për disa minuta seancën ndaj Safet Gjicit për shkak të paqartësive në dokumentacion.

Avokati pretendon se Gjici ndodhet në spital ndërkohë transferimin e ka në burgun Kosovë e Lushnjes, shkresa për përfaqësim nga avokati vjen nga IEVP Durrës. Për shkak të kësaj paqartësie Gjyqtarja kërkon vendodhjen e Gjicit dhe qartësimin e shkresave.

Ish-kryebashkiaku i Kukësit u dënua me 3 vite burg ndërkohë që i kanë mbetur për të vuajtur 1.2 vite burg. Safet Gjici është dënuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv.