E ftuar në “Live from Tirana” ishte ish-konkurrentja e ‘Përputhen’, Alba Pollozhani, për të folur rreth çështjes së martesës dhe dashurisë për gjeneratën Z, si dhe problemet që ata hasin.
Pse mendon se gjenerata Z ka vështirësi të marrë hapa të rëndësishëm drejt martesës?
Kjo është një temë shumë e thellë dhe e veçantë, ka shumë arsye të ndryshme. Mendoj se një nga këto është thjeshtësia me të cilën vajzat ose djemtë gjejnë një partner të ri, qoftë më të bukur ose më të pasur. Ata nuk marrin përgjegjësi për bashkëjetesën e tyre. E gjej shumë të çuditshme si ata bashkëjetojnë për 1 ose 2 vite, flenë dhe ndajnë shumë gjëra bashkë, vetëm që të pyesin veten në fund “a ta vazhdojmë apo jo?”. Më bën të mendoj, çfarë dëshironin të nxirrnin nga kjo bashkëjetesë? Ata as nuk bien dakord që të kenë fëmijë, një nga gjërat që të paktën në një çift, jep një synim të përbashkët. Një marrëdhënie, përveç dashurisë, duhet të ketë besim, ndershmëri dhe integritet, gjë që është shumë e vështirë për t’u gjetur sot.
Çfarë mendimi ke për metodat e fundit të takimeve, specifikisht ato të rrjeteve sociale?
Varet se çfarë dëshiron, një lidhje serioze apo kënaqësi. Mendoj se platformat sociale janë bërë shumë funksionale për lidhjet e kënaqësisë dhe nuk e kuptoj pse njerëzit lodhen të mendojnë se cila metodë është më funksionale dhe se cila do t’i gjejë atyre dashurinë e vërtetë. Fatin e ke të shkruar në ballë. Formula nuk ekziston, besoj shumë në Zot dhe nuk kemi pse të vrasim mendjen për të gjetur lidhjet serioze, ajo do të dalë vetë.
Cili do të ishte mashkulli ideal për ty?
Shqiptar, biznesmen, mysliman. Nuk dua të dukem si një materialiste, por besoj se mashkulli dhe femra kanë role të paracaktuara. Siç do të kujdesem unë për integritetin e familjes, siç do ta pres me gjithë dashuri pasi të kthehet nga puna dhe siç do të kujdesem për fëmijët, gjithashtu pres që ai të arrijë një stad financiar dhe social të mirëfilltë, në mënyrë që fëmijët tanë të kenë më shumë avantazhe në jetë sesa ne, të jenë më të kompletuar financiarisht dhe shpirtërisht. Nuk kam një kriter minimal, por ideja është se detyrat kryesore duhet të përmbushen. Ai duhet të dijë si të mbrojë gruan, fëmijët dhe shtëpinë. Kjo aspak nuk do të thotë që unë do të ikja në momentin e parë që ai do të kishte disfata; është detyra ime që t’i qëndroj pranë deri sa ai të rimëkëmbet dhe do ta bëja këtë sepse një mashkull i tillë e ka provuar veten se është i fortë, inteligjent dhe se arrin ta gërmojë suksesin edhe te ajo balta që mund të ketë rënë. Kur të ngrihet, do të ngrihemi së bashku, sepse unë do t’i qëndroj pranë gjatë gjithë kohës; ai është roli im.