Gjyqi i ish-drejtorit ekzekutiv të Volkswagen Group, Martin Winterkorn, filloi së fundmi në Braunschweig të Gjermanisë, me akuzën e mashtrimit dhe manipulimit të tregut. 77 vjeçari është akuzuar për mashtrim në lidhje me një skandal koorporativ që rrethon përdorimin e softuerit të manipuluar nga Volkswagen, i cili lejon kompjuterët në miliona makina të mashtrojnë testet e emetimeve duke qetësuar në mënyrë specifike motorët për të fshehur nivelet e larta të emetimeve.
Prokurorët thonë se Winterkorn dinte për softuerin e paligjshëm shumë kohë përpara se Agjencia Amerikane e Mbrojtjes së Mjedisit të njoftonte se kishte zbuluar shkeljen në shtator 2015. Ai dha dorëheqjen disa ditë më vonë.
Ai tha se mësoi për praktikën vetëm pak para njoftimit dhe më parë dëshmoi gjatë procesit gjyqësor se akuzat kundër tij “nuk ishin të vërteta”. Avokati i Winterkorn, Felix Doerr, deklaroi përpara gjyqit në Braunschweig se klienti i tij definitivisht i refuzon akuzat kundër tij.
Winterkorn duhej të dilte në gjyq në vitin 2021 me katër drejtorë të tjerë, por çështja e tij u shty për shkak të problemeve shëndetësore. Ky skandal pati pasoja të mëdha për kompaninë dhe industrinë e automobilave. Volkswagen përfundoi duke paguar më shumë se 31 miliardë euro gjoba dhe zgjidhje ligjore. Rikujtojmë, se Volkswagen nuk po përjashton mbylljen e fabrikave në Gjermani pasi kërkon të kursejë miliarda të tjera si pjesë e një programi të uljes së kostove në markën e tij të njëjtë.
Volkswagen njoftoi gjithashtu fundin e programit të tij të sigurisë së punës, i cili ishte në fuqi që nga viti 1994, i cili parandaloi çdo shkurtim të vendeve të punës deri në vitin 2029. Grupi tha se të gjitha masat do të diskutohen me këshillin e punës. Marka Volkswagen, e cila mbetet poli kryesor i shitjeve të grupit që zotëron gjithashtu Audi, Seat, Skoda dhe Porsche, është subjekt i një programi reduktimi të kostos që synon 10 miliardë euro kursime deri në vitin 2026 për të financuar elektrifikimin e gamës së saj. “Situata është jashtëzakonisht e tensionuar dhe nuk mund të kapërcehet me masa të thjeshta për uljen e kostove”-tha në një deklaratë me shkrim shefi i markës VW, Thomas Schäfer.