Aktualitet

Ish-deputeti socialist Arben Çuko në SPAK për “21 Janarin”!

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Çuko u paraqit në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në lidhje me ngjarjet e 21 janarit 2011 me katër të vrarë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Në një prononcim për mediat pasi doli nga SPAK-u, Çuko u shpreh se u pyet në cilësinë e personit që ka pasur dijeni në lidhje me 21 janarin.

Në SPAK u thirra në cilësinë e personit që ka pasur dijeni. Janë vrarë 4 veta ju e dini shumë mirë. Janë 4 veta të vrarë në bulevard, që nuk mund të lihen kaq kollaj në harresë.

Në 21 janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë u vranë katër qytetarë: Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedaj. Pas urdhrit të Gjykatës së Lartë, në korrik të këtij viti Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin. Tre ditë më parë, për të njëjtën dosje, në SPAK ishte Saimir Tahiri.

SPAK-u i ka dërguar një kërkesë të dytë Prokurorisë së Tiranës për ngjarjet e 21 janarit me katër të vrarë në protestën e opozitës socialiste të kohës, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet. Burime të sigurta i thanë Top Channel-it se “grupi i hetimit të posaçëm, i drejtuar nga Alfred Shehu ka kërkuar çdo material që disponon organi i akuzës i kryeqytetit, përfshirë nëse ka pasur apo jo urdhër-ndalime të tjera për katër vrasjet në bulevard, që publikisht njihen si kërkesat ndaj “Grupit të zjarrit”, vendimet e shpallura nga drejtuesja dhe dokumentet që lidhen me planin e masave, shoqërimet e protestuesve”.

Një burim i deklaroi TCH-it se “dosja në themel e dërguar SPAK-ut është ajo e hetimit të hapur prej vitesh ku u tentua të zbardhej vrasja e Aleks Nikës” ndërsa vazhdon e pazbardhur edhe vrasja e protestuesit tjetër, Hekuran Deda. Në SPAK, “21 Janari” përfundoi me urdhër të Gjykatës së Lartë pas denoncimit të Rajmonda Nikës, e cila kërkon të hetohet ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, si dhe Ndrea Prendi, ish-komandant i Gardës së Republikës. Që të tre, pra Sali Berisha, Lulzim Basha e Ndrea Prendi pritet që të pyeten pasi të shterohet çdo veprim tjetër hetimor.