Në emisionin “Live From Tirana” ditën e sotme ishte e ftuar këngëtarja më e dashur e publikut shqiptar, Irma Libohova. Në një lidhje telefonike për ‘Top Albania Radio’ ajo hapi kutinë e kujtimeve, e tregoi historitë e saj me kompozitorin gjeni që fatkeqësisht ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme, të madhin Agim Krajka. Irma na tha si e ka përjetuar lajmin e trishtë dhe aftësitë gjeniale të kompozitorit:
“Sot për mua është një ditë e trishtë. Kam kujtime nga familja, nga djemtë, i vogli Fatrimi, me emrin e bukur që jam çuditur kur e kam dëgjuar. Po them kujtime që nuk i kam thënë asnjëherë. E pyeta ç’është ky emër, e më tha ja kemi vënë sepse im atë quhej Rifat edhe për ta kujtuar e krijuam një emër disi të përpunuar.”
Libohova na tregon detaje nga gjendja e kompozitorit gjatë kohës kur ai ndodhej në gjendje kritike:
“Kam qenë në kontakt me të motrën, Aidën. Kam bërë ndërhyrje të nevojshme me njerëz që kishin akses në pavionin ku ishte shtruar. Duke marrë parasysh parametrat e oksigjenit, u mërzita shumë. Por nuk kam folur sepse lajmi bëhet lajm kur bëhet i vërtet. Ai ka gjurmë në karrierën time!”
Këtë intervistë ekskluzive, Irma Libohova e mbyll duke kënduar refrenin e këngës ‘Nuk e harroj’ të kompozuar nga Agim Krajka.