Bota

Irani: Sanksionet e BE-së dhe Britanisë nuk janë të arsyeshme!

Irani reagon duke pretenduar se Bashkimi Europian (BE), si dhe Britania e Madhe vendosën sanksione ndaj linjës së tij të transportit bazuar në “akuza false” për furnizimin e Rusisë me raketa dhe shton se sanksionet nuk janë të “arsyeshme”. Qëndrimin e shprehu zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Islamike, Esmaeil Baghaei.

Një ditë më parë, në listën e sanksioneve, Brukseli zyrtar shtoi Linjën e Transportit të Republikës Islamike të Iranit (IRISL) dhe drejtorin e saj, për shkak të mbështetjes që Teherani po i ofron Rusisë në luftën kundër Ukrainës.

Po dje, Britania vuri sanksione kundër linjës ajrore kombëtare të Iranit dhe transportuesit të tij detar. Londra deklaroi se veproi si përgjigje ndaj furnizimit të Rusisë me raketa nga Irani.

Irani vlerëson se sanksionet e reja nga Bashkimi Europian e nga Mbretëria e Bashkuar kundër një numri individësh iranianë dhe entiteteve ligjore, u vendosën bazuar në pretendimet false lidhur me dërgimin e raketave në Rusi dhe i cilëson si veprime jo të arsyeshëme e që bien ndesh me normat e ligjit ndërkombëtar.

Teherani akuzon vendet europiane se po shkelin ligjin ndërkombëtar, përfshirë lirinë e lëvizjes dhe tregtinë në rrugë detare, duke vendosur sanksione. Që kur nisi lufta në Ukrainë, në vitin 2022, Moska dhe Teherani e kanë thelluar bashkëpunimin ekonomik e tregtar mes tyre.

Sulmet ruse në Ukrainë nuk njohin aspak ndalim por vetëm intensifikim të mëtejshëm duke shkaktuar edhe viktima civile, të pafajshme.

Dy muaj nga përfundimi i mandatit të presidentit Biden, Shtetet e Bashkuara po rrisin mbështetjen financiare, ushtarake dhe diplomatike ndaj përpjekjeve të Kievit për t’u mbrojtur kundër agresionit rus. Në takimin e nivelit të lartë të G20-ës në Brazil, zyrtarët e Uashingtonit po bëjnë presion për një gjuhë “sa më të fortë të mundshme” në mbështetje të Ukrainës.

Diplomatët perëndimorë kanë ripërtërirë thirrjet për kritika më të forta ndaj Moskës pas sulmit ajror rus të fundjavës, më i madhi në territorin ukrainas në muajt e fundit. Gjithashtu, paralajmëruan se Rusia po shton përpjekjet e luftës që mund të kenë një efekt destabilizues përtej Europës. Deklarata përfundimtare e udhëheqësve të G20-ës, ende është duke u negociuar.