Bota

Irani: Nuk duam përshkallëzim rajonal, por Izraeli duhet të ndëshkohet!

Irani thotë se nuk po kërkon përshkallëzim të tensioneve rajonale në Lindjen e Mesme, por beson se Izraeli duhet që të ndëshkohet, në mënyrë që siç beson, “të mund të parandalohet paqëndrueshmëria e mëtejshme”. Kjo u deklarua sot nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Republikës Islamike, pasi javën e kaluar në Teheran u vra Ismail Haniyeh, shefi politik i Hamasit, grupit palestinez të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian, BE.

Irani kërkon që të ketë stabilitet në rajon, por kjo mund të arrihet vetëm me ndëshkimin e agresorit dhe të krijohet parandalim kundër aventurizmit të regjimit zionist [Izraelit], tha zëdhënësi Nasser Kanaani, duke shtuar se kundërpërgjigja nga Teherani është e pashmangshme.

Kanaani i bëri thirrje Uashingtonit zyrtar që të mos e mbështesë më Izraelin, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar ka dështuar që të mbrojë stabilitetin në rajon dhe duhet të mbështesë “ndëshkimin e agresorit”.

Edhe komandanti kryesor i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, Hossein Salami, sërish tha sot se Izraeli “do të ndëshkohet”.

Teherani dhe grupet e lidhura me Iranin, si Hamasi palestinez e Hezbollahu libanes e kanë akuzuar shtetin hebraik lidhur me vrasjen e shefit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh. Zyrtarët izraelitë nuk kanë marrë përgjegjësinë për vrasjen, por as e kanë mohuar atë.

Në një bisedë telefonike me homologun izraelit, Joav Gallant, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin e siguroi për mbështetjen e hekurt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rast të një sulmi hakmarrës nga Irani. Tensionet në rajon janë rritur, sidomos pas vrasjes së komandantit të lartë të Hezbollahut, Fuad Shukr në Bejrut, si dhe shefit të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran.

Nuk vonoi shumë dhe grupi militant libanez pro-iranian, Hezbollah kreu sulm me dronë sot në veri të Izraelit. Ushtria izraelite deklaroi se dy ushtarë të saj u plagosën gjatë goditjes që po vjen në kohën kur është rritur frika për një konflikt rajonal. Burime zyrtare thanë se zjarri i shkaktuar u lokalizua dhe u shua me ndërhyrjen e zjarrfikësve.