Bota

Irani: Izraeli vrau në Teheran liderin politik të Hamasit, Ismail Haniyeh!

Garda Revolucionare e Iranit tha se Ismail Haniyeh, lideri politik i Hamasit grupit palestinez radikal u vra gjatë një sulmi në Teheran dhe fajësoi Izraelin. Garda njoftoi se po heton atentatin që la të vrarë 62 vjeçarin kur ai gjendej në Teheran për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të Iranit, Masud Pezeshkian, një ditë më parë. Garda Revolucionare e Republikës Islamike nuk dha detaje se si u krye sulmi.

Hamasi që mbështetet nga Irani konfirmoi lajmin, sot përmes një postimi në Telegram duke thënë se Haniyeh u vra “në një sulm ajror në rezidencën e tij në Teheran”. Pala izraelite ende nuk ka konfirmuar vdekjen e liderit politik të Hamasit. Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, menjëherë dënoi vrasjen, duke e cilësuar “zhvillim të rrezikshëm”.

Disa shtete dënuan sulmin. Rusia e quajti “vrasje të papranueshme politike”, ndërsa Turqia paralajmëroi se vrasja e liderit politik të Hamasit do të zgjasë luftën mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës. Kur u pyet për sulmin që vrau Haniyeh, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, u tha gazetarëve në Filipine ku po zhvillonte një vizitë se nuk ka informacione shtesë.

Më herët dje, Izraeli pretendoi se ka “eliminuar” Fuad Shukr, komandantin e grupit militant, Hezbollah, që Izraeli e akuzon se qëndron pas sulmit me raketa në fundjavë e që vrau 12 të rinj izraelit. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit shkruan në X se Shukr, ka “drejtuar” sulmet e Hezbollahut.

Grupi libanez, Hezbollah, ende nuk ka reaguar për këtë ngjarje. Shukr ishte në kërkim nga autoritetet amerikane për përfshirjen e tij të dyshuar në sulmin e vitit 1983 ndaj trupave amerikane në Bejrut. Uashingtoni kishte ofruar 5 milion dollarë shpërblim për informacione për Shukr, i cili njihej edhe si al-Hajj Mohsin e gjendej në listën amerikane të terroristëve.

Hezbollahu, që rrallë mohon sulmet ndaj objektivave izraelite, nuk pranoi të jetë përgjegjës për sulmin e 27 korrikut në Lartësitë e Golanit, të pushtuara nga Izraeli. Por, Izraeli është zotuar se do të hakmerret ndaj grupit që mbështetet nga Irani.

Izraeli është zotuar se do të vrasë udhëheqësit e Hamasit për shkak të sulmit që grupi radikal palestinez kreu brenda territorit izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1 mijë e 200 persona. Rreth 250 të tjerë janë rrëmbyer, disa prej të cilëve janë liruar prej asaj kohe.

Disa nga pengjet kanë gjetur vdekjen në Gazë në kohën kur Izraeli po kryen një operacion masiv ushtarak që thotë se ka për synim eliminimin e Hamasit. Disa nga pengjet besohet se ende janë gjallë.

Haniyeh ka qenë pjesë e Hamasit për dekada të tëra dhe u bë shef politik i grupit në vitin 2017. Ai ka jetuar në Rripin e Gazës deri më 2019-ën e më pas në Katar. Gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza, Haniyeh ka udhëtuar nëpër shtetet e Lindjes së Mesme ku ka marrë pjesë në negociatat ndërkombëtare për konfliktin, përfshirë negociatat për lirimin e pengjeve që ende mbahen nga Hamasi.