Bota

Irani i jep lamtumirën liderit të vrarë palestinez, Ismail Haniyeh!

Në Teheran u zhvillua ceremonia e lamtumirës për Ismail Haniyeh-un, liderin politik të Hamasit, grupit ekstremist palestinez të mbështetur nga Irani e që është shpallur “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian. Irani njoftoi se 62 vjeçari u vra dje në kryeqytetin iranian nga një sulm ajror, për të cilin akuzoi Izraelin. Ky sulm ngjall frikë për një luftë të gjerë në Lindjen e Mesme.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei drejtoi lutjet për Haniyeh-un ndërsa në qendër të Teheranit u mblodhën turma njerëzish me portrete të Haniyeh-ut e flamuj palestinezë. Ai do të prehet në kryeqytetin e Katarit, Doha.

Khamenei kërcënoi me “ndëshkim të ashpër” për vrasjen e Haniyeh-ut. Edhe Muza Abu Marzuk, anëtar i zyrës politike të Hamasit u zotua për hakmarrje.

Vrasja e liderit Ismail Haniyeh është akt i mjerë dhe nuk do të shpëtojë pa përgjigje.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), i cili ishte i pari që njoftoi vdekjen e Haniyeh-ut, tha se po e heton sulmin ku ai mbeti i vrarë teksa ndodhej në Teheran për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të Iranit, Masud Pezeshkian.

Qeveria e Izraelit nuk e komentoi vrasjen, por një foto e Haniyeh-ut me një vulë në ballin e tij e që mbante mbishkrimin “I eliminuar”, u postua nga Zyra për Media e qeverisë izraelite në Facebook. Postimi që më vonë u fshi pa ndonjë shpjegim, nuk tregoi se sulmi u krye nga Izraeli, edhe pse theksoi se zyrtari i Hamasit “u vra nga një sulm i përpiktë në Teheran”.

Kryeministri Netanyahu është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin për shkak se ky grup kreu një sulm brenda Izraelit më 7 tetor duke vrarë rreth 1.200 njerëz. Mbi 250 të tjerë u rrëmbyen, disa prej të cilëve u liruan më vonë.

Besohet se ka edhe pengje që kanë vdekur në Gaza, ku Izraeli është përfshirë në një operacion masiv ushtarak, që ta çrrënjosë Hamasin.  Vrasja e Haniyeh-ut ka nxitur frikë se gjendja në rajon do të përshkallëzohet, pasi tensionet mbeten të larta që kur nisi lufta në Gaza.

Ai u vra në një kohë kur Uashingtoni është duke bërë presion që t’i bindë Hamasin dhe Izraelin të pajtohen për një armëpushim të përkohshëm e për një marrëveshje lidhur me lirimin e pengjeve që po mbahen në Gaza. Zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Katari dhe Egjipti janë përfshirë në raundet e fundit të bisedimeve për arritjen e një marrëveshjeje.