Bota Politikë

Irani hakoi fushatën e Trump? FBI-ja e Konfirmon! Dyshime për sulm edhe ndaj Kamala Harris

Zyrtarë të inteligjencës amerikane kanë konfirmuar se Irani qëndron pas një sulmi kibernetik të fundit ndaj fushatës presidenciale të Donald Trump. FBI dhe agjenci të tjera federale, në një deklaratë të përbashkët, theksuan se Irani kishte ndërhyrë në zgjedhjet amerikane me qëllim nxitjen e mosmarrëveshjeve dhe minimizimin e besimit në institucionet demokratike të SHBA-së.

Fushata e Trump akuzoi Iranin më 10 gusht për hakerimin e mesazheve të saj të brendshme, akuza këto që u mohuan nga zyrtarët iranianë. Sipas burimeve të njohura me hetimin, të cituara nga CBS News, dyshohet se hakerat iranianë kanë shënjestruar edhe fushatën e Kamala Harris, kandidate demokrate për presidente. Zyrtarët e inteligjencës amerikane besojnë se iranianët kanë përdorur teknika të inxhinierisë sociale për të fituar akses te individët me lidhje të drejtpërdrejta me të dyja fushatat presidenciale.

Këto aktivitete, përfshirë vjedhjen dhe zbulimin e të dhënave, synojnë të ndikojnë në procesin zgjedhor të SHBA-së. Në sulmin ndaj fushatës së Trump, u dërgua një mesazh i krijuar për të dukur i besueshëm me qëllim që objektivi të klikonte mbi të. Ndërkohë, fushata e Harris raportoi gjithashtu një sulm të ngjashëm, por që nuk pati sukses.

Deklarata e së hënës nga agjencitë përfshirë FBI-në, Zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare dhe Agjencinë e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës, vuri në dukje se këto taktika nuk janë të reja dhe kanë qenë të përdorura edhe nga Rusia dhe Irani gjatë zgjedhjeve të mëparshme në SHBA.