Bota

Irani: Ende ka kanale të komunikimit me SHBA-të!

Kryediplomati i Iranit deklaroi se “kanalet e komunikimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ende janë të hapura”. Këtë deklaratë, Abbas Araghchi e bëri një javë pasi republikani, Donald Trump, fitoi zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA.

Kanalet e komunikimit mes nesh dhe amerikanëve ende ekzistojnë, tha zyrtari i lartë, pas takimit të përjavshëm të qeverisë iraniane. Ne kemi dallime me amerikanët, që ndonjëherë janë shumë thelbësore e nuk mund të zgjidhen por ne kemi arritur t’i menaxhojmë ato për të ulur kostot e tyre dhe për të ulur tensionet.

Muajin e kaluar, Araghchi u shpreh se nuk ka bazë për mbajtjen e bisedimeve indirekte me SHBA-të për çështjet bërthamore.

Nuk shohim se ka ndonjë bazë për bisedime të tilla, derisa ta kalojmë krizën aktuale, vuri në dukje Araghchi më 14 tetor gjatë një vizite në Oman. Siç dihet, për një kohë të gjatë, ky shtet ka ndërmjetësuar mes Iranit dhe SHBA-ve, që shkëputën raportet pas Revolucionit Islamik të vitit 1979 e që rrëzoi nga pushteti shahun e mbështetur nga Perëndimi, Mohammed Reza Pahlavi. Këto deklarata të kryediplomatit iranian u përsëritën edhe dje nga presidenti i vendit.

Sa i përket Amerikës, na pëlqen ose jo, ne dikur do të përballemi me këtë shtet në skenën rajonale e ndërkombëtare dhe është më mirë që ta menaxhojmë vetë këtë çështje, vuri në dukje kryetari i shtetit iranian, Masoud Pezeshkian.

Irani, subjekt i sanksioneve të ashpra ndërkombëtare, më 2015-ën kishte arritur një marrëveshje me fuqitë botërore, përfshirë SHBA-të, për të frenuar programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes graduale të sanksioneve. Por pakti u zhbë tre vjet më vonë, pasi Trump tërhoqi shtetin e tij nga akordi e rivendosi sanksionet ndaj Teheranit.

Më 13 nëntor, në Teheran do të qëndrojë shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, Rafael Grossi, i cili do të zhvillojë bisedime me zyrtarët e lartë iranianë lidhur me programin bërthamor të Teheranit.

Ka probleme dhe mospajtime se si duhet të bashkëpunojmë me agjencinë, tha Araghchi.

Më tej shtoi se shpreson se gjatë kësaj vizite të Grossit, të dyja palët “mund të arrijnë marrëveshje sa i përket disa dallimeve që janë dhe si të bashkëpunohet në të ardhmen”.