Para 5 nëntorit, Irani i quante “të parëndësishme” zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Por tani, ekspertët thonë se “fitorja” e ish-presidentit amerikan mund të ketë pasoja të mëdha për Teheranin. Gjatë mandatit të parë presidencial, Trump e rriti presionin ndaj Republikës Islamike, për shkak të programeve bërthamore e raketore, si dhe vendosi sanksione gjithëpërfshirëse kundër Iranit.
Iranit do t’i duhet të mendojë për ndryshime radikale në politikën e jashtme e sigurinë kombëtare… në mënyrë që t’i shmangë krizat më të mëdha që mund të vijnë si pasojë e presidencës së dytë të Trump-it, thotë Farzan Sabet, bashkëpunëtor i lartë kërkimor në Institutin e Gjenevës IHEID.
Nga viti 2017 deri më 2021-shin, administrata e Trump-it ndoqi një fushatë të “presionit maksimal” kundër Iranit. Trump i tërhoqi SHBA-të nga një marrëveshje bërthamore midis Teheranit dhe fuqive botërore, rivendosi sanksionet ekonomike ndaj Iranit e urdhëroi vrasjen e gjeneralit të lartë iranian, Qassem Soleimani.
Kthimi i Trump-it në Shtëpinë e Bardhë mund të sjellë një politikë të “presionit maksimal 2.0”, thotë Sabet, duke shtuar se qëllimi mund të jetë “frenimi dhe dobësimi i regjimit”. Trump mund të përpiqet të krijojë një lloj politikë afatgjatë ndaj Iranit, që do të ishte vështirë të zhbëhej edhe nga administratat e ardhshme amerikane.
Gjatë fushatës, Trump dërgoi mesazhe të përziera për Iranin. Ai kërcënoi se do ta shkatërronte por gjithashtu tha se ishte i hapur për bisedime. Më tej u shpreh se dëshiron që Irani të jetë “i suksesshëm” edhe pse shtoi se Teherani “nuk mund të ketë armë bërthamore”.
Sabet thotë se Irani është bërë më i zoti në shmangien e sanksioneve të SHBA-ve, që nga mandati i parë i Trump-it e se programi i tij bërthamor ka avancuar më shumë pas shfuqizimit të marrëveshjes bërthamore.
Por ekspertët paralajmërojnë se Irani do të vazhdojë t’i ndiejë pasojat e politikave më të ashpra të SHBA-ve. Ekonomia iraniane është në rënie të lirë e struktura klerike e vendit përballet me trazira të brendshme në rritje e me kërcënime nga armiku kryesor, Izraeli.
Hamidreza Azizi, bashkëpunëtor në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, thotë se “ka të ngjarë që Trump t’i japë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, “një dorë të lirë” për t’u përballur me Iranin. Ai ka marrëdhënie të ngushtë me Netanyahu-n, i cili ishte një prej liderëve të parë botërorë që e uroi presidentin e zgjedhur.
Gjatë mandatit të parë, Trump e njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, duke përmbysur politikën e ndjekur prej dekadash në SHBA. Gjithashtu, e zhvendosi ambasadën amerikane në qytetin e kontestuar.