Bota

Irani: Dërguam me sukses një satelit në hapësirë!

Irani njoftoi se ka dërguar në orbitë një satelit hulumtues me një raketë të ndërtuar nga divizioni i hapësirës i Gardës Revolucionare Islamike. Lajmin e raportoi sot agjencia shtetërore IRNA.

Sateliti Chamrat-1 me peshë 60 kilogramë, me sukses arriti në orbitën prej 550-kilometrash në hapësirë.

Në muajin janar, Republika Islamike njoftoi se me sukses kishte lançuar në hapësirë tre satelitë përmes një rakete. Paraprakisht, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se lëshimet e satelitëve nga Irani “janë në kundërshtim me një rezolutë të Kombeve të Bashkuara”, e cila i kërkon Teheranit të mos ndërmarrë asnjë aktivitet që përfshin aftësi të raketave balistike për të ofruar armë bërthamore.

Sanksionet e OKB-së sa i përket programit të Iranit për raketat balistike skaduan tetorin e vitit të kaluar. Në fund të janarit të këtij viti, Irani tha se ka hedhur tre satelitë në orbitë.

Për herë të parë, tre satelitë janë dërguar në orbitë me sukses. Satelitët u mbajtën nga Simorgh dhe më pas u lëshuan në një orbitë minimale prej 450 kilometrash. Sateliti Mahda që peshon rreth 32 kilogram dhe u zhvillua nga Agjencia e Hapësirës së Iranit synon të testojë nënsistemet e avancuara satelitore. Dy satelitët e tjerë, Kayhan 2 e Hatef peshojnë më pak se 10 kilogramë secili. Si qëllim kanë të testojnë teknologjinë në hapësirë dhe komunikimin e brezit të ngushtë.

Po në janar 2024, Garda Revolucionare e Republikës Islamike dërgoi në hapësirë satelitin kërkimor, Soraya. Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania dënuan këtë veprim duke e cilësuar Iranin si “ndërhyrës”.

Qeveritë perëndimore, përfshirë ajo e Shteteve të Bashkuara, vazhdimisht kanë paralajmëruar Iranin kundër hedhjeve të tilla duke thënë se kjo teknologji mund të përdoret për raketa balistike, përfshirë ato që janë për të mbartur koka bërthamore.

Irani deklaroi se nuk po kërkon të posedojë armë bërthamore dhe se lëshimet e satelitëve e raketave janë për qëllime civile apo të mbrojtjes. Në të kaluarën, Republika Islamike ka dështuar në lëshimin e disa satelitëve.

Për herë të parë, Irani dërgoi me sukses në orbitë satelitin ushtarak, Nour-1, në prill 2020, që u dënua ashpër nga SHBA-të. Teherani është nën sanksione të ashpra amerikane që nga viti 2018 kur Uashingtoni u tërhoq nga marrëveshja bërthamore, e cila i mundësonte lehtësim të sanksioneve në këmbim të frenimit të aktiviteteve bërthamore.