Përdoruesit e iPhone 15 Pro dhe iPhone 15 Pro Max thuhet se po përballen me probleme të mbinxehjes tek telefonat e tyre, duke ndezur spekulime se çipi i ri A17 Pro në këto dy modele mund të jetë shkaku i problemit. Sidoqoftë, analisti i TF Securities, Ming-Chi Kuo, ka vlerësuar këtë problem të supozuar të mbinxehjes që po prek modelet Pro të linjës iPhone 15 dhe deklaroi se problemi është për shkak të ndryshimeve të bëra në dizajnin e brendshëm të të dy modeleve.
Përmes një postimi, Kuo deklaroi se sondazhi i tij i tregut tregon se çështjet e supozuara të mbinxehjes nuk janë të lidhura me ‘nyjën’ e avancuar 3nm të Kompanisë së Prodhimit Gjysëmpërçues të Tajvanit. iPhone 15 Pro dhe iPhone 15 Pro Max janë të pajisur me një çip 3nm A17 Pro të ndërtuar nga prodhuesi tajvanez i çipave. Analisti pretendon se problemet e mbinxehjes që thuhet se prekin modelet e reja të iPhone-it ka gjasa të shkaktohen nga ndryshimet e bëra nga Apple në modelin termik të të dy celularëve këtë vit.
Rikujtojmë, se një vlogger i njohur me emrin HaerteTest në YouTube ka publikuar një video ku teston rezistencën e modelit iPhone 15 Pro Max në ujë. Ai vendosi që ta testonte modelin më të shtrenjtë të linjës iPhone 15 duke e zhytur me dhjetëra herë në një lumë. Përveç kësaj, siç shihet në video, ai e vendosi smartphonin për 10 minuta nën ujë derisa aktivizoi edhe kohëmatësin në telefon. Pavarësisht zhytjeve me dhjetëra herë dhe kohën 10-minutëshe nën ujë modeli iPhone 15 Pro Max punonte dhe nuk kishte ndonjë problem.