Sport

Inzagi mendon strategjinë për të kaluar Konten, “TU-LA” jep garanci te Interi,

Nga një ndalesë kampionati tek tjetra, projekti i Simone Inzagit është i qartë. Kërkon që në pushimin e radhës për kombëtaret të jetë në krye të kampionatit, menjëherë pas përballjes me Antonio Konten. Duket se gjithçka është si në sezonin e kaluar, kur Lautaro me shokë ngecën në tetor pas Milanit dhe pastaj vendosën këmbën në gaz për të mos u ndalur deri në fund të yllit të dytë. Si mund të përsëritet kjo histori?

Duelet kokë më kokë, sfidat afër njëra-tjetrës, kjo është tema. Inzagi e ka thënë publikisht mendimin e tij për këtë histori, pak javë më parë: Titujt kampionë fitohen në duelet direkte. Përpara sfidës me Napolin është ajo me Juventusin më 27 tetor. Interi ka nevojë që të bëjë detyrën në rast se kërkon të kalojë në krye të kampionatit. Dhe duhet ta bëjë patjetër pasi ka lënë 4 pikë rrugës me Monxën dhe Xhenoan. Por meqë ato janë histori e së shkuarës, duhet që të mendojë për të ardhmen. Sfidat vijnë në momentin e duhur. Kjo është një periudhë e vitit kur skuadrat e Inzagit “fluturojnë”. Por edhe nga aspekti psikologjik, Interi ka qenë i zoti për të dalë nga errësira ku u përfshi pas humbjes së derbit. Efekti i ringritjes ka qenë i menjëhershëm: Tre fitore në një javë duke përfshirë edhe Champions-in. Tani Interi është vetëm 2 pikë larg Napolit dhe mund të nisë të mendojë parakalimin. Këto 3 fitore kanë shtuar vetëbesimin në kampin zikaltër dhe besimin që mund të jenë më të fortë dhe kanë të gjitha mundësitë për të sfiduar Napolin, pavarësisht një kalendari impenjativ prej Champions-it.

Sigurisht që Europa është një faktor në sfidën me Konten. Interi do të mbërrijë në 10 nëntor me 2 ndeshje më shumë në këmbët e tij. Ndeshjet ndaj Jang Bojsave dhe Arsenalit vijnë pikërisht përpara 2 ndeshjeve direkte. Duhet një hap i rëndësishëm edhe në këtë aspekt. Sepse Interi në fakt e ka paguar shtrenjtë Champions-in. Humbi derbin pas sfidës kundër Sitit. Dhe sfida në Zvicër do të ketë të njëjtin problem si në Mançester. Interi nuk kthehet dot menjëherë pas përfundimit të ndeshjes çka do të thotë se do të humbasë një ditë punë. Por dyshja e sulmit TU-LA është ajo që garanton. Lautaro është më i qetë tani që është zhbllokuar dhe kërkon të vazhdojë kështu edhe në ndeshjet e ardhshme. Por golat po i shënon Markus.

Por janë disa aspekte që kurohen me punë, por edhe duke mbajtur të gjithë skuadrën të karikuar. Një nga mënyrat është rrotacioni. Inzagi ka shumë material human për të menaxhuar. Për herë të parë, pas kësaj ndalese do të ketë të gjithë skuadrën në dispozicion duke konsideruar rikthimin e Barelës dhe Bjukenën. Interi është gati për të sulmuar Konten. Por zikaltrit duhet të jenë të zotët që të shkojnë në atë ndeshje me këtë distancë pikësh për ta parakaluar. Është një sfidë e paralajmëruar.