Bota

Intervista e zv.presidentes amerikane Harris për Fox News/Emigracioni mes çështjeve!

Gjatë një interviste për rrjetin televiziv “Fox News”, Kamala Harris u pyet mbi përpjekjet e administratës Biden për të trajtuar rritjen e numrit të emigrantëve të paligjshëm në kufirin jugor. Zv.presidentja amerikane fajësoi republikanët për dështimin në miratimin e një projektligji për kufirin. Sipas saj, Donald Trump iu kërkoi të vetëve të refuzonin draftin dypartiak duke e akuzuar rivalin se “i pëlqejnë problemet, në vend që t’i zgjidhë”.

Intervista ishte pjesë e një apeli të drejtpërdrejtë nga ana e Harris-it drejtuar votuesve republikanë teksa theksoi mbështetjen e republikanëve për fushatën e saj në një shtet fushëbeteje si Pensilvania përpara se të dilte për intervistën në Fox News, një rrjet me prirje konservatore. Harris u pyet në lidhje me komentin e bërë së fundmi se nuk do të ndryshonte “asgjë” në lidhje me ato çfarë ka bërë administrata Biden.

Më lejoni të jem shumë e qartë, presidenca ime nuk do të jetë një vazhdim i presidencës së Joe Biden-it.

Më herët, në qarkun Bucks, në periferi të Filadelfias, Kamala Harris foli mbi ato që i quajti përpjekje të Trump-it për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhje katër vjet më parë.

Ai refuzoi të pranonte vullnetin e popullit dhe rezultatet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ai dërgoi një turmë të armatosur në Kapitol dhe ata sulmuan me dhunë oficerët e policisë, zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe kërcënuan jetën e nënpresidentit (të kabinetit) të tij.

Mbi 100 republikanë iu bashkuan Harris-it në qarkun Bucks, mes tyre Adam Kinzinger, një ish-ligjvënës dhe anëtar i komisionit që hetoi sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit nga mbështetësit e ish-presidentit Trump.

Pavarësisht se për kë keni votuar herën e fundit, ka një vend për ju në këtë fushatë.

Zv.presidentja udhëheq me 46% krahasuar me 43 që është mbështetja për kandidatin republikan Donal Trump sipas një sondazhi të fundit të agjencisë Reuters.

Harris ka tentuar edhe më parë të afrojë votuesit e zhgënjyer me Trump-in. Në fillim të muajit, ish-ligjvënësja republikane Liz Cheney, vajza e ish-zv.presidentit Dick Cheney, u bëri thirrje amerikanëve të vendosin vendin mbi partinë e të votojnë për Harris-in, duke thënë se Trump nuk ishte i përshtatshëm për të udhëhequr Shtetet e Bashkuara.