Sot në interpelancën me zv.kryeministren e njëherazi ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, opozita kërkoi shpjegime se pse nuk janë ndërtuar katër nyjet dhe nënkalimet në rrugën Thumanë-Kashar, çka izolon hyrje-daljet e banorëve në zonat përreth. Deputetja demokrate Elda Hoti:
Në prill 2018, pas marrjes së miratimit dhe alokimit të fondeve, shpallet procedura për dhënien me koncesion të rrugës Thumanë-Kashar me 13 vite, me fond limit 245 milion euro e me detyrimin financiar që shteti t’i bënte pagesë fikse vjetore.
Keni argumentuar në media se për rrugën Thumanë-Kashar, fondet do të përdoreshin për paktin me studentët. Kërkoj të informohem nga ministrja se sa ishte fondi i parashikuar në vitin 2019 e në vijim për rrugën Thumanë-Kashar dhe sa është fondi i alokuar nga qeveria shqiptare për paktin me studentët në vitin 2019?
Balluku tha se do të ketë nyjë të dedikuar në hyrje të Thumanës e se po firmoset kontrata. Ndërkaq, bëri të ditur se provizorisht, banorët do të aksesojnë mbikalimin e Gramzës ditët në vijim e që do të përdoret derisa të bëhet rrethrrotullimi në hyrje të Thumanës.
Për shkak të kërkesave për sigurinë rrugore e për të ruajtur nivelin e sigurisë së rrugës, pati ndërhyrje të shumta, të cilat ishin publike e transparente. Patëm një garë të zhvilluar në periudhën e pandemisë, pa sukses. Ishte një projekt i ndarë në forume, në tryeza të ndryshme. Duhet thënë se Thumanë-Kashar nuk ka pasur katër nyje por dy nyje që janë pjesë e projektit ndërkohë pjesë e studimit kanë qenë tre nyje.
Dy nyje janë të ndërtuara dhe nuk ka asnjë ndryshim nga projekti fillestar e bëhet fjalë për hyrjen e Rinasit dhe të Kasharit. Ajo nyje do të zgjidhë përfundimisht problemin e Thumanës. Eshtë nyja e Thumanës që ndodhet si pjesë e projektit që do të vazhdojë. Eshtë vetëm 4 km larg mbikalimit ekzistues sot në Gramzë, për t’i dhënë një zgjidhje provizore.
Rrugë alternative ka. Jemi në fazën e firmosjes së kësaj kontrate për ndërtimin Thumanë-Milot. Kemi rënë dakord që në rast se do ta shohin të arsyeshme duhet marrëveshje me komunitetin, pasi ka edhe shtëpi, ne mund të konsiderojmë që edhe mbikalimin e Gramzës ta kthejmë në nyje permanente.