Rrjeti televiziv amerikan, CNN bën të ditur se “Shtëpia e Bardhë ka filluar bisedimet me miliarderin Elon Musk, për të mundësuar që shërbimi satelitor i kompanisë SpaceX të ofrohet në Iran”. CNN citoi zyrtarë amerikanë që kanë dijeni rreth bisedimeve, të cilët thonë se “shërbimin e internetit të njohur si Starlink, Shtëpia e Bardhë e sheh si mënyrë për t’i mundësuar iranianëve aksesin në internet, si dhe për anashkalimin e kufizimeve të qeverisë”.
Siç dihet tashmë, qeveria iraniane ka kufizuar së tepërmi hyrjen në internet, pasi muajin e kaluar nisën protestat për vdekjen e 22 vjeçares Mahsa Amini, e arrestuar nga e ashtuquajtura Policia e Moralit në Teheran, me pretendimin se nuk e mbante siç duhet hixhabin. Më pas, e reja gjeti vdekjen dhe familjarët e saj e shumë iranianë akuzuan autoritetet se e torturuan, por policia mohon akuzat.
Një zyrtar i lartë i administratës amerikane, i cituar nga CNN, deklaroi:
Po bëjmë çfarë të mundemi për të mbështetur aspiratat e popullit iranian. Njëkohësisht, kjo është vërtet një lëvizje iraniane, e udhëhequr nga vajzat e që po përhapet në të tjera aspekte të shoqërisë. Kurrsesi ne nuk duam të eklipsojmë lëvizjen e tyre.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave të Zërit të Amerikës për koment. Starlink që përdor satelitët për të mundësuar shërbim interneti drejt tokës i ofroi internet Ukrainës pasi Rusia e sulmoi ushtarakisht, më 24 shkurt të këtij viti.
Javën e kaluar, CNN njoftoi se “kompania SpaceX i kërkoi Pentagonit të paguajë miliona dollarë në muaj, për të financuar shërbimin Starlink në Ukrainë”. Pasi kjo u raportua në edicionet e lajmeve, Musk shkroi në Twitter se e tërhoqi kërkesën për fonde.
Po ashtu, ende nuk dihet nëse shërbimi Starlink po kërkon financimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të mundësuar aktivitetin në Republikën Islamike të Iranit.