Aktualitet

Interesat e kredive për shtëpi vijuan rënien në muajt e verës!

Normat e interesit të kredisë për shtëpi në lekë po vazhdojnë rënien dhe kanë prekur nivelin më të ulët prej një viti e gjysmë. Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë në lekë, për blerje banesash nga individët, për korrikun zbriti në 4.56%. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë shënonte nivelin 5.36%. Norma mesatare e interesit e portofolit të kredisë për shtëpi në lekë ndodhet në nivelin më të ulët prej nëntorit 2022.

Normat e interesit paraqiten edhe më të ulëta për kreditë e reja, të dhëna gjatë periudhës. Për korrikun, kreditë e reja për shtëpi në lekë u dhanë me normë mesatare interesi prej 4.06%. Rënia e normave të interesit këtë vit duket se i ka dhënë një shtysë të re rritjes së kredisë për shtëpi.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit gusht, portofoli i kredisë për shtëpi arriti vlerën e 199.6 miliardë lekëve, në rritje me 13.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kredia e re e disbursuar gjatë tetë muajve të parë të vitit arriti në 35.6 miliardë lekë, 15% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në fillim të muajit korrik, Banka e Shqipërisë e uli normën bazë të interesit për herë të parë që nga viti 2020, duke krijuar premisa për ulje të mëtejshme të kostove të financimit. Ndërkohë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën euro ngelet në nivele më të larta.

Në korrik, norma mesatare e interesit e kredisë për shtëpi në euro arriti në 5.37%, por edhe ajo në rënie nga niveli prej 5.41% që kishte qenë një vit më parë. Kjo reflekton ndryshimin e kursit të politikës monetare nga Banka Qendrore Europiane në treguesin benchmark, Euriborin 12-mujor.

Megjithëse interesat e euros po bien, sërish diferenca mes normës mesatare të interesit për kreditë në euro dhe ato në lekë ngelet në nivelin më të lartë historik, me 0.81 pikë përqindje më shumë.

Në qershor, Banka e Shqipërisë vendosi për herë të parë aplikimin e një shtesë kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar. Të gjitha bankat tregtare në Shqipëri duhet ta plotësojnë këtë shtesë pas një viti, duke filluar nga 30 qershori 2025. Një shtesë e tillë ka si qëllim ngadalësimin e kreditimit, veçanërisht në segmentin e financimit të pasurive të paluajtshme.

Në Deklaratën e Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e parë të vitit, Banka e Shqipërisë nënvizoi për herë të parë, në mënyrë eksplicite, shqetësimin se kreditimi i ekonomisë këtë vit po rritet shumë shpejt dhe se është e nevojshme që ritmi i rritjes të ngadalësohet./Monitor