Bota Tech

Inteligjenca artificiale krijon foto të rreme nudo të vajzave, San Francisko paraqet padinë e parë të këtij lloji kundër AI!

Gati një vit pasi imazhet nudo të vajzave të shkollave të mesme të krijuara nga AI, tronditën një komunitet në Spanjën jugore, një gjykatë për të mitur këtë verë dënoi 15 nga shokët e tyre të klasës. Por mjeti i inteligjencës artificiale i përdorur për të krijuar “imazhe të dëmshme” është ende lehtësisht i qasshëm në internet, duke premtuar se do të “zhveshë çdo foto” të ngarkuar në website brenda disa sekondash.

Dhe tani një përpjekje e re për të mbyllur aplikacionin dhe të tjerë si ai po ndiqet në Kaliforni, ku San Francisko këtë javë ngriti një padi të parë në llojin e tij që ekspertët thonë se mund të krijojë një precedent, por gjithashtu do të përballet me shumë pengesa. David Chiu, avokati i zgjedhur i qytetit të San Franciskos i cili ngriti çështjen kundër një grupi faqesh interneti të vizituara gjerësisht të lidhura me entitete në disa vende në botë, u shpreh:

Përhapja e këtyre imazheve ka shfrytëzuar një numër tronditës grash dhe vajzash anembanë globit. Këto imazhe përdoren për të ngacmuar, poshtëruar dhe kërcënuar gratë dhe vajzat. Dhe ndikimi mbi viktimat ka qenë shkatërrues në reputacionin e tyre, shëndetin mendor, humbjen e autonomisë, dhe në disa raste, duke bërë që disa të kryejnë vetëvrasje.

Padia e ngritur në emër të popullit të Kalifornisë pretendon se shërbimet thyen shumë ligje shtetërore kundër praktikave mashtruese të biznesit, pornografisë jokonsensuale dhe abuzimit seksual të fëmijëve. Megjithatë, vlerësohet se mund të jetë e vështirë të përcaktohet se kush i drejton aplikacionet, të cilat nuk janë të disponueshme në dyqanet e aplikacioneve të telefonit, por ende gjenden lehtësisht në internet.