Aktualitet Lajmet e fundit Politikë

Institucionet e drejtësisë refuzojnë Komisionin “Xhafaj”, edhe Prokuroria e Përgjithshme nuk merr pjesë…

Pas SPAK, ILD dhe Gjykatës së Lartë, edhe Prokuroria e Përgjithshme ka refuzuar pjesëmarrjen në Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion, e drejtuar nga Fatmir Xhafaj.

Prokuroria e Përgjithshme ka thënë se nuk do të dërgojë ekspertë në komision.

“Prokuroria e Përgjithshme ka shprehur vullnetin të bashkëpunojë me Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” për çdo çështje të natyrës teknike që lidhet me kuadrin kushtetues e ligjor brenda të cilit funksionon prokuroria dhe sistemi i drejtësisë.

Prokuroria nuk do të marrë pjesë me ekspertë si pjesë të nëngrupit të punës së komisionit, por ka njoftuar komisionin për caktimin e pikave të kontaktit të institucionit sipas fushave përkatëse të ekspertizës, të cilët do të bashkëpunojnë me komisionin në formën e dhënies së opinioneve mbi produktet e punës së këtij të fundit në të gjitha rastet që do t’u kërkohet prej tij”, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Ndërkohë Këshilli i Lartë Gjyqësor ka dhënë një prononcim lidhur me Komisionin Antikorrupsion në Kuvend. Ata shprehen se nuk kanë dërguar përfaqësues ashtu si dhe institucionet e tjera të drejtësisë, por janë të gatshëm të japin propozime dhe opinione.

‘Nuk kemi dërguar përfaqësues por një pikë kontakti dhe jemi të gatshëm të kontribuojmë me opinione dhe propozime në lidhje me ndryshimet ligjore. Ne si institucion kemi dorëzuar me herët një sërë propozimesh për ndryshime ligjore që lidhen me funksionalitetin dhe eficencën në sistemin gjyqësor dhe presim komunikim me Kuvendin’, thotë KLGJ.
Ndërkohë pak më herët Këshilli i Lartë i Prokurorisë bëri me dije se ka caktuar dy anëtarë për tek komisioni i antikorrupsionit.