Aktualitet

INSTAT: Lindjet u ulën me 7.6% në tremujorin e katërt, 9 qarqe shënuan rënie!

Numri i lindjeve për tremujorin e katërt 2023 ka shënuar një rënie me 7.6 për qind, krahasuar me tremujorin e katërt të 2022.

Sipas të dhënave nga Instat, numri i lindjeve për tremujorin e katërt është 5857.

Ndërkohë, nëntë qarqe të vendit shënojnë rënie të numrit të lindjeve, në krahasim me tremujorin e katërt 2022.

Qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 2.126 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 104 lindje.

Rënien më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të katërt 2023 krahasuar me tremujorin e katërt 2022 e shënon qarku i Kukësit me 18,8 %.

Megjithatë shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e katërt 2023 ishte pozitive, me 1038 lindje më shumë se sa vdekje.

Edhe numri i vdekjeve për tremujorin e katërt 2023 ka shënuar një rënie prej 10,5 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2022. Numri i vdekjeve është 4.819.

Në tremujorin e katërt 2023, shtatë qarqe të vendit regjistrojnë shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në pesë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative.

Qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 833 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 139 vdekje më shumë se sa lindje.

Në tremujorin e katërt 2023, njëmbëdhjetë qarqe të vendit shënojnë rënie të numrit të vdekjeve, ndërsa qarku i Dibrës ka mbetur në të njëjtin nivel vdekjesh, në krahasim me tremujorin e katërt 2022.

Qarku me numrin më të ulët të vdekjeve është Kukësi me 109 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana me 1.293 vdekje.

Rënien më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të katërt 2023 krahasuar me tremujorin e katërt 2022, e shënon qarku i Vlorës me rënie prej 27,0 %.

Në të gjithë vendin vitin e kaluar kanë lindur 22,210 bebe, me një rënie vjetore 10 % ose 2478 foshnja më pak se në vitin 2022.

Rënia e lindjeve është bërë më agresive përgjatë dy viteve të fundit pas pandemisë, ku tkurrja është më rreth 2400 foshnja për secilin nga vitet 2022-2023.