Tech

Instagram prezanton masat e reja për adoleshentët!

Instagram po zgjeron funksionin Limits, veçanërisht për adoleshentët që duan të reduktojnë ndërveprimet e padëshiruara me njerëzit e tjerë. Kur të aktivizojnë funksionin, adoleshentët do të jenë në gjendje të shohin vetëm komentet, mesazhet, përgjigjet e historive, etiketat dhe përmendjet nga grupi i miqve të ngushtë dhe ndërveprimet nga llogaritë e tjera do të çaktivizohen.

Llogaritë që nuk janë pjesë e miqve të ngushtë mund të ndërveprojnë ende me ta, por aktiviteti i tyre nuk do të shfaqet në ‘feed’. Në të njëjtën kohë, adoleshentët mund të kufizojnë ndërveprimin e tyre me njerëzit që së fundmi kanë filluar t’i ndjekin në Instagram. Përveç kësaj, kompania po shton funksionalitet të ri për Limits, i cili lejon përdoruesit të kufizojnë ndërveprimet nga disa llogari pa i bllokuar ato.

Instagram do të fshehë të gjitha komentet nga llogaritë e përmendura dhe ata nuk do të jenë në gjendje të etiketojnë ose përmendin përdoruesin. Kompania fillimisht prezantoi Limits si një provë në vitin 2021, pasi futbollistët anglezë Bukayo Saka, Marcus Rashford dhe Jadon Sancho u ngacmuan në internet pas humbjes së skuadrës angleze ndaj Italisë në finalen e Euro 2020.

Instagram po ndryshon gjithashtu algoritmin e tij që ndikon në Reels për t’i dhënë përparësi “përmbajtjes origjinale”. Para së gjithash, kjo do të ketë pasojat për ata që publikojnë kryesisht video të përdoruesve të tjerë. Gjithashtu, llogaritë me më pak ndjekës, por që postojnë videot e tyre, duhet të kenë shikueshmëri më të mirë në këtë mënyrë.

Në një postim në blog, kompania deklaroi se po përpiqet të korrigjojë mënyrën e renditjes së llogarive, sepse, siç thonë ata, historikisht, krijuesit me një numër të madh ripostimesh dhe ndjekësish kanë arritur më shumë përdorues sesa ata të cilët krijojnë përmbajtje origjinale. Nuk është e qartë se çfarë ndryshimesh do të bëjë Instagram për ta barazuar këtë, por ata theksuan se algoritmi nuk do t’i japë më prioritet llogarive me më shumë ndjekës.